Ekspertët bërthamorë që ndjekin ngjarjet në termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia thonë se ky nuk është “një tjetër Çernobil”, por se është një situatë shumë e rrezikshme, raporton BBC, përcjell Bota sot.
“Për herë të parë këtë mëngjes, jam e frikësuar,” thotë ekspertja e materialeve bërthamore të Universitetit Sheffield, Prof Claire Corkhill.
Duket se vetëm një nga gjashtë reaktorët në termocentral po funksionon tani.
Corkhill thotë se reaktorët po merren “offline” që do të thotë “ata po mbyllin reaksionin bërthamor dhe po i vendosin në një gjendje të sigurt dhe të qëndrueshme”.
Ajo shton se ky mund të ketë qenë qëllimi i Rusisë.
“Nëse doni të synoni furnizimin e tyre me energji, ju sulmoni një ndërtesë afër termocentralit dhe i detyroni operatorët ta mbyllin atë,” thotë ajo.
Corkhill shton se një “skenar i rastit më të keq” do të ishte që furnizimi me energji elektrike i termocentralit të dëmtohej pasi “ne mund të shikojmë një skenar të ngjashëm me atë që ndodhi në Fukushima në 2011, ku një humbje e energjisë çoi në një humbje të ftohjes, e cila shkaktoi një shkrirje të tre prej reaktorëve të saj bërthamorë”.