Kampionë, milionerë, por edhe “kopracë”, shumë futbollistë refuzojnë reduktimin e pagës

0

Si dhjetra milionë njerëz në të gjithë Europën edhe ata qëndrojnë të izoluar. Disa janë prekur nga sëmundja e ko rona, të tjerë jo. Disa mes rrjeteve sociale bëjnë thirrje për solidaritet, ndërsa të tjerë kanë nxjerrë nga xhepi para për të ndihmuar në “luftën” kundër kësaj pandemie. Zgjedhje të ndryshme edhe nga ana e futbollistëve, që në radhët e tyre kanë shumë që refuzojnë t’iu preken të ardhurat si miliona njerëzve në këtë periudhë të vështirë sanitare dhe financiare.

Pas kaosit me kalendarët që ende nuk ka gjetur zgjidhje, një debat i fortë ka nisur në lidhje me reduktimin e pagesave të futbollistëve, që siç dihet, ata të Ligave kryesore europiane fitojnë miliona euro në sezon. Nëse në Gjermani dhe Francë disa skuadra në mënyrë vullnetare kanë hequr dorë nga një pjesë e të ardhurave, në Itali, Spanjë, por edhe Angli debati është i nxehtë. Pas lajmeve të mediave spanjolle se futbollistët e Barcelonës kanë refuzuar një zgjidhje të tillë, edhe ato italiane dhe angleze bëjnë të ditur se shumë futbollistë nuk duan që paga e tyre të përgjysmohet ose të paktën të reduktohet.

Kjo gjë është shoqëruar me polemika sidomos në rrjetet sociale, por jo vetëm. Futbollistëve iu vihen në dukje milionat që fitojnë duke luajtur futboll. Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes, pasi në klube të tjerë si Bayern Munich, futbollistët vullnetarisht pranuan të ulnin të ardhurat e tyre me 20% në mënyrë që të zbutej impakti negativ te punëtorët e tjerë të klubit që me futbollin që ka ndaluar do ta ndjenin shumë krizën financiare. I njëjti diskutim edhe për Borussia Dortmund dhe së fundmi edhe Union Berlin, ku të jithë lojtarët dhe drejtuesit kanë hequr dorë nga paga e tyre. (balkanweb)