Kryetari i LSDM-së opozitare, Venko Filipçe, ka publikuar mbrëmë 11 kandidaturat e reja për kryetarë komunash në zgjedhjet lokale të tetorit, përfshirë Kumanovën, Ohrin dhe Strumicën.
Filipçe njoftoi se për Kumanovë do të garojë sekretari organizativ i partisë, Martin Kostovski. Në Ohër kandidon kryetari i organizatës komunale, dr. Asen Shajn, ndërsa për Strumicën – Marjan Daskallovski.
Pas shpalljes së kandidaturave, reagimi më i fortë erdhi nga kryetari aktual i Strumicës, Kostadin Kostadinov, i cili menjëherë njoftoi ngrirjen e anëtarësisë në LSDM. Ai theksoi se partia është larguar nga vlerat e saj themelore dhe nuk përjashton mundësinë që të kandidojë për mandat të tretë si i pavarur.
“Po zhvilloj konsultime me qytetarë dhe bashkëpunëtorë për mundësinë e një kandidature të pavarur, përfshirë edhe listat e këshilltarëve. Vendimet afatgjata do t’i bëj publike nga mesi deri në fund të shtatorit”, deklaroi Kostadinov për Alsat.
Në Kumanovë, kandidimi i Kostovskit shihet si sfidë direkte për ish-bashkëpartiakun Maksim Dimitrievski, aktualisht kryetar komune dhe pjesë e qeverisjes me VMRO-DPMNE. Në zgjedhjet e fundit, Dimitrievski u nda nga LSDM dhe fitoi si kandidat i pavarur.
Kostovski ka goditur ashpër Dimitrievskin, duke e akuzuar për tradhti ndaj votuesve:
“Nga korrigjues i pushtetit, u kthye në pion të Mickoskit dhe kalë i Trojës që synon përçarjen e LSDM-së dhe opozitës. Heshti ndaj krimit dhe uli kokën para patronit të tij”, shkroi Kostovski në Facebook.
Si pasojë e pakënaqësive të brendshme, disa parti më të vogla si DOM dhe Partia e Pensionistëve kanë braktisur koalicionin me LSDM-në, duke paralajmëruar garim të pavarur në zgjedhjet e ardhshme. Kriza e brendshme pritet të ndikojë ndjeshëm në fushatën dhe rezultatin zgjedhor të LSDM-së.