Kapen 300 kg kokainë në Selanik, dyshohet se është përfshirë një bandë shqiptare

Detaje të reja kanë dalë nga kapja e 300 kg kokainë në një vilë në Greqi, disa ditë më parë. Në pranga për këtë sasi tepër të madhe kokaine ranë 4 britanikë 38, 48, 45 dhe 52 vjeç.

Ndërkohë mediat britanike nga burime të sigurta nga grupi hetimor shkruajnë se në këtë trafik janë të përfshirë një bandë shqiptare.

“Trafikimi i kokainës nëpërmjet porteve greke është një rrugë e përdorur nga kriminelët shqiptarë, të cilët kanë dominuar tregun britanik të kokainës vitet e fundit, por ka pasur edhe dëshmi të grupeve mafioze shqiptare dhe italiane që punojnë së bashku.” thuhet në mediat britanike.

Pavarësisht se droga shkonte në një treg evropian dhe australian, Administrata Amerikane e Zbatimit të Drogës (DEA) luajti një rol qendror në çmontimin e sindikatës së krimit së bashku me policinë greke dhe doganat italiane.

Një burrë i Liverpool-it që besohet se është i lirë në Kolumbi dhe është një objektiv kryesor për autoritetet amerikane.

41-vjeçari është raportuar të jetë në krye të një rrjeti të madh global të trafikut të kokainës , duke marrë sasi të larta të kokainës direkt nga burime në Kolumbi. Sipas raportimeve në Greqi, droga u kontrabandua përmes porteve të Meksikës, Ekuadorit dhe Kosta Rikës, e fshehur brenda ngarkesave me banane, përpara se të shkonte në Evropë dhe Australi.