Kapen mbi 200 kg drogë në Mal të Zi

0

Policia malazeze, njoftoi të premten se në afërsi të lumit Buna, në vendin e quajtur Sutjel në territorin e Komunës së Ulqinit, ka bërë të mundur sekuestrimin e rreth 7 çantave me 205 kg lëndë narkotike kanabis.

Sipas informacioneve të policisë malazeze, në afërsi të Lumit Buna, janë pikasur 4 persona të cilët po transportonin çantat dhe pasi janë parë nga polica, ato janë larguar.

Dyshohet se lënda narkotike ka ardhur nga Shqipëria dhe kishte destinacion Malin e Zi. Ndërkohë, po punohet në kapjen dhe identifikimin e transportuesve, por edhe të bashkëpunëtorëve të trafikantëve.

Policia malazeze, kohëve të fundit, në mënyrë të vazhdueshme ka bllokuar sasi të dukshme të drogës, të llojit marijuanë, e cila transportohet në format më të ndryshme drejt Malit të Zi.

Zonat kufitare mes Malit të Zi dhe Shqipërisë siç janë Lumi Buna, Liqeni i Shkodrës, zona e Malësisë dhe ajo e Vermoshit konsiderohen se territoret më të përshtatshme për trafikimin e lëndëve narkotike në drejtim të Malit të Zi dhe Europës.