Një shtetas i Serbisë është kapur në pikën kufitare Tabanoc teksa tentonte të fuste në vend rreth 130 kilogramë marihuanë.
Ngjarja ka ndodhur më 29 tetor 2025, kur doganierët, gjatë kontrollit të një kamioni frigorifer me targa sllovene, kanë zbuluar 14 çanta të fshehura me drogë narkotike. Sipas hetimeve fillestare, mjeti ishte në pronësi të një kompanie transporti nga Sllovenia, ndërsa substanca ishte e destinuar për tregun e jashtëm, përcjell INA.
“Në kamionin me gjysmë rimorkio u gjetën 129.7 kilogramë marihuanë, të fshehura me kujdes në pjesën e pasme të automjetit. Prokuroria ka ngritur procedurë penale dhe ka kërkuar masë paraburgimi ndaj të dyshuarit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Kumanovës.
Hetimet po vijojnë për të zbuluar rrjetin e mundshëm të trafikimit dhe lidhjet e të dyshuarit me persona të tjerë brenda apo jashtë vendit.(INA)