Kapitenit të Realit të Madridit, Lukas Vaskes, nuk i del ende e keqja me arbitrimin në fitoren 3-2 kundër Alaveshit.
“Los Blancos” i kanë shtuar dhe 4 kartonë të verdhë llogarisë së tyre, tre prej të cilëve për protesta. Por kjo gjë nuk i ka pëlqyer autorit të golit të parë të Realit në fitoren kundër Alavesh. Duke folur për “Real Madrid tv”, Lukas Vaskes ka shprehur pakënaqësi ndaj gjyqtarit të takimit.
“Në dy ndeshjet e fundit më shumë jemi penalizuar, më shumë për shkak të fjalëve sesa për ndërhyrje të gabuara. Jam i zhgënjyer me gjyqtarin në këtë takim. Pa bërë asnjë faull jemi ndëshkuar dy herë me kartonë të verdhë. Ndërsa Alaveshi numëronte 10 ndërhyrje të gabuara dhe asnjë ndëshkim për ta. Nuk më duket diçka e zakonshme”, tha ai.