Karabinierët e Italisë do t’i dhurojnë uniforma Policisë Pyjore të Maqedonisë së Veriut

Ministri i bujqësisë, Arjanit Hoxha ka bërë të ditur për arritjen e një marrëveshje me Italinë, që është formalizuar sot me një hap konkret.

“Ishte knaqësi që sot në prani të Ambasadorit të Italisë, Andrea Silvestri dhe z. Giuseppe Moltalto, Atashe i Mbrojtjes, nënshkruam teknikisht një marrëveshje që do të forcojë bashkëpunimin midis dy vendeve. Me kërkesë të Sektorit të Policisë Pyjore në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, dërguar Karabinierëve të Republikës së Italisë, për dhurimin e uniformave për policinë pyjore, morëm një përgjigje pozitive prej tyre.

Karabinierët e Republikës së Italisë do t’i dhurojnë uniforma Policisë Pyjore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si një vend i përfshirë në listën e vendeve në zhvillim, marrësit e ndihmës zyrtare për zhvillim dhe anëtari i 30-të i NATO-s, përmes një marrëveshje teknike dhe aksesorë.

Në emrin tim dhe në emër të MBPEU-së dhe Policisë Pyjore, unë do të doja të falënderoja Karabinierët e Republikës Italiane dhe Ambasadorin Silvestri. Bashkëpunimi ynë do të rritet në disa nivele. Policia Pyjore dhe Karabinierët e Republikës së Italisë do të vazhdojnë dhe forcojnë bashkëpunimin përmes trajnimit dhe transferimit të përvojave, njohurive dhe aftësive”, ka theksuar ministri Hoxha.(INA)