Ronaldo ikën nga Juventusi pa Champions-in. E mbyll karrierën te…

0

Kristiano Ronaldo do të largohet nga Juventusi në fund të sezonit, nëse skuadra dhe ai nuk do të arrijnë të fitojnë Ligën e Kampioneve”. Është ky lajmi bombastik që vjen nga Eduardo Inda, drejtori i “OK Diario”, i cili ishte njëkohësisht edhe i pari (ose ndër të parët) që lajmëroi edhe blerjen e shekullit nga ana e “Zonjës së Vjetër”, pas një interviste për “Chiringuito” në verën e vitit 2018. Por Inda rikthehet në skenë duke sjellë tri lajme brenda një të vetmi, me deklaratën e tij: “Ronaldo e kupton që vitet po kalojnë dhe duke qenë ende shumë i lidhur me Mançester Junajtidin, ai e ka vendosur se nëse nuk arrin që të sjellë Champions-in në Torino, atëherë do të kërkojë që të luajë edhe një ose dy sezone me ‘Djajtë e kuq’, një fanellë me të cilën mund të vendosë të mbyllë edhe karrierën. Drejtuesit e Juves janë lajmëruar për këtë gjë dhe sigurisht që kartoni i Ronaldos do të paguhet nga ana e anglezëve, ndonëse shuma nuk do të jetë më 100 milionë euro, – vazhdon gazetari spanjoll. – Kampionët e Italisë ndërkohë kanë nisur që të marrin masat, edhe pse pa dyshim që ata janë të përqendruar te sezoni aktual për të gjetur zëvendësuesin ideal të Kristianos. Andrea Anjeli e tha qartë disa javë më parë, Juventusi do të kërkojë një tjetër profil ‘alla Ronaldo’, por më të ri në moshë, dhe dy emrat mbi të cilët po punohet në Torino janë Pol Pogba ose Kilië Mbape. Tashmë, Juventusi ka para mjaftueshëm për të synuar cilindo futbollist në botë dhe pa dyshim që mes dy emrave të mësipërm, Pogba duket më i lehti për t’u arritur. Por sigurisht që nëse edhe Mbapesë i garantohen 30 milionë eurot në vit të Ronaldos dhe duke futur në marrëveshje një ose dy futbollistë si Paulo Dibala apo Emre Xhan, tratativa nuk është e pamundur, ndonëse në Torino tifozët dhe klubi kanë dalë disa herë hapur duke nënvizuar se është rikthimi i Pogbasë dëshira e madhe bardhezi”, deklaroi Eduardo Inda, drejtori i “OK Diario”. Ylli portugez po mendon ta vazhdojë karrierën te PSG. Ky klub kohëve të fundit ka pasur kontaktet e para me Jorge Mendes, menaxherin e futbollistit. Të njëjtat burime raportojnë se CR7 po përjeton një marrëdhënie jo të mirë me trajnerin Maurizio Sarri.