Kryetari i Lëvizjes BESA dhe i komunës së Tetovës, Bilall Kasami i është përgjigjur reagimeve të krerëve shtetëror lidhur me vizitën e kryeministrit Albin Kurti.
“Qeveria nuk ia doli ta fsheh apo kontrollojë frikën nga humbja në zgjedhjet e ardhshme, sidomos kur në pah doli fronti opozitar i bashkuar dhe me një përkrahje nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti.
E kuptojmë shqetësimin e Presidentit dhe Qeverisë, të cilës për çudi me përkrahje e reagime i doli krah edhe Beogradi, dhe e dimë se retorika e këtillë politike, nuk ka të bëjë aspak me vizitën e Albin Kurtit, por ka të bëjë me shqetësimin se opozita shqiptare në RMV po bashkohet dhe kësisoj ia numëron ditët kësaj qeverie të krimit dhe korrupsionit”, theksoi Kasami.
Sipas tij, ardhja e kryeministrit Kurti sa ishte respekt dhe nder për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, po aq ishte edhe respekt për shtetin e Maqedonisë së Veriut, me të cilin është nënshkruar memorandumi i projektit të përbashkët, rrugës Tetovë-Prizren.(INA)