Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, po zhvillon një sërë takimesh në Austri, duke u takuar me zyrtarë austriakë dhe mërgatën shqiptare.
Sipas njoftimit të shpërndarë, Kasami në Vjenë u prit nga një mik i vjetër dhe i dëshmuar i shqiptarëve, deputeti LAbg. Gr Hannes Taborsky, i njohur për mbështetjen e tij të vazhdueshme për çështjet shqiptare në arenën ndërkombëtare.
“LAbg. Gr Hannes Taborsky, faleminderit për mikpritjen. Shpresoj që së shpejti të vish në Tetovë, aty ku shqiptarët do të të mirëpresin me zemër,” shkruan Kasami pas takimit, duke theksuar miqësinë e thellë dhe bashkëpunimin afatgjatë mes palëve.
Më tej, Kasami zhvilloi edhe një takim miqësor dhe të frytshëm me kryetarin e Komunës së Hornit, Gerhard Lentschig. Të dy diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit mes dy komunave, shkëmbimin e përvojave dhe projekteve të përbashkëta në funksion të zhvillimit ekonomik lokal. Lentschig, nga ana e tij, shprehu mirënjohje të veçantë për kontributin e komunitetit shqiptar në Austri, duke vlerësuar rolin e tij në proceset sociale dhe ekonomike.
Kasami gjithashtu falënderoi këshilltarin komunal dhe veprimtarin e njohur të çështjes kombëtare, Shefqet Balaj, për angazhimin e vazhdueshëm dhe ndihmën në organizimin e këtyre kontakteve të vlefshme.
Në vazhdën e vizitës, kryetari i Tetovës u takua edhe me përfaqësues të mërgatës shqiptare nga shoqata dhe klube të ndryshme në Austri. Ai theksoi rëndësinë e këtyre takimeve spontane dhe të sinqerta, duke nënvizuar se mërgata mbetet pjesë e pandashme e kombit dhe një aset i vyer për zhvillimin dhe progresin e vendit.(INA)