Katastrofë natyrore në Preshevë: Shqipëria dhe Kosova të na gjenden pranë

E enjtja solli një katastrofë natyrore për Preshevën, kur u godit nga stuhi shiu, që sollën përmbytje e dëme të mëdha. Disa foto u ndanë në rrjetet sociale nga deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.

Ai drejtoi një thirrje për ndihmë nga Shqipëria dhe Kosova, ndërsa vuri në dukje se hapi i parë është hedhur nga kryebashkiaku Erion Veliaj.

“Presheva u godit nga një katastrofë natyrore mbrëmë. Dëmet e shkaktuara në infrastrukturë, biznese familjare dhe shtëpi janë të mëdha. Prandaj Preshevës i nevojitet ndihmë. I duhet përkrahje. Inkurajoj të gjithë përfaqësuesit institucional në Kosovë e Shqipëri, t’i gjenden pranë Preshevës dhe qytetarëve të saj. Katastrofat natyrore nuk mund t’i ndalim edhe sikur të bëhemi gjithë bashkë. Por solidarizimin dhe mbështetjen konkrete për riparimin e gjendjes së shkaktuar, mbështetjen e familjeve dhe bizneseve të dëmtuara, mundemi! Tirana, kryeqyteti jonë i përbashkët, bëri hapin e parë. Faleminderoj kryebashkiakun Veliaj. Le të bëhemi bashkë të gjithë. Të jemi pranë Preshevës e me Preshevën”, theksoi Kamberi.

Ish-kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, ka treguar për vërshimet që shkaktuan dëme në disa fshatra të komunës së Preshevës. “Kemi parë qytetarë të trishtuar dhe të dëmtuar. S’kemi pasë dëme ne njerëz, s’është dëmtuar shëndeti i askujt. Ka  dëme në infrastrukturë dhe kjo është fatmirësia në fatkeqësi”. Ai ka thënë se ka pasë banorë nga fshatrat tjera që janë solidarizuar me ata që pësuan nga vërshimet.  Arifi ka thënë se po kërkojnë një pako financiare në mbledhjen e Kuvendit Komunal për kompensimin e dëmeve. Po ashtu, ai ka kërkuar edhe nga Kosova që të ndihmojë siç ka bërë me komunën e Bujanocit.(INA)