Katedra e Historisë pranë Fakultetit Filozofik të Universitetit të Tetovës shpreh shqetësimin dhe pakënaqësinë e thellë lidhur me përmbajtjen dhe hartimin e programeve të reja të historisë për arsimin fillor dhe të mesëm.
Nga kjo katedër profesorët theksuan se megjithëse në parim janë dakord për domosdoshmërinë e ndryshimeve dhe modernizimit të plan-programeve, ata kanë evidentuar disa parregullsi serioze që rrezikojnë cilësinë dhe koherencën e mësimdhënies së historisë, si:
-Mospërfshirja e historianëve shqiptarë në procesin e hartimit të programeve, duke përjashtuar kontributin e tyre të rëndësishëm profesional e historik.
-Prezantimi i koncepteve joshkencore dhe të pasakta si “Ilirët dhe Dardanët”, që përpiqen të ndajë Dardanët nga trungu i fiseve ilire.
-Përdorimi i nocionit “Shqipëri” për periudha historike ku ky term nuk ekzistonte, duke deformuar pasqyrimin kronologjik të historisë së shqiptarëve.
-Reduktimi drastik i njësive mësimore për historinë e shqiptarëve, duke e zvogëluar ndjeshëm përfaqësimin e tyre krahas popujve të tjerë të Ballkanit.
“Këto mospërputhje përbëjnë një rrezik serioz për pasqyrimin e drejtë të historisë dhe për ruajtjen e interkulturalitetit në shoqërinë tonë. Apelojmë që Ministria e Arsimit e RMV-së të ndërmarrë hapa të menjëhershëm dhe të përfshijë mekanizmat adekuatë për korrigjimin e këtyre mangësive, para se të miratohen tekstet përfundimtare. Si profesionistë të fushës, shpresojmë që reagimi ynë të merret me seriozitet dhe të shërbejë si një thirrje për përmirësimin e përmbajtjes historike në arsim, duke siguruar një qasje të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe në përputhje me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare të edukimit”, thuhet në reagimin e kësaj katedre.
Profesorët e Katedrës së Historisë, Fakulteti Filozofik – UT të nënshkruar
Prof. Dr. Hiriete Ziberi
Prof. Dr. Zeqirja Rexhepi
Prof. Dr. Fehari Ramadani
Prof. Dr. Qerim Dalipi
Prof. Dr. Zeqirja Idrizi
Prof. Dr. Isak Sherifi