Katër arsye pse mund të ketë luftë me Serbinë

Për Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, janë katër arsye pse një konflikt i hapur eventual mund të jetë i mundshëm mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndër këto arsye, Kurti për mediumin zviceran Die Republik ka përmendur faktin se Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe lufton kundër njohjes së Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Kurti ka thënë se Kosova nuk është e frikësuar si pasojë e veprimeve të Serbisë, por është vigjilente.  “Nuk kemi frikë, por jemi vigjilentë. Ne mbetemi të shqetësuar. Mendoj se ka katër arsye që e bëjnë një konflikt të imagjinueshëm:

Së pari, Serbia ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Ajo lufton kundër njohjes sonë ndërkombëtare dhe në të njëjtën kohë financojnë strukturat ilegale brenda Kosovës për të minuar sundimin e ligjit dhe sovranitetin tonë.

Së dyti, Në Serbi nuk mund të pajtohen me krimet e luftës të kryera në vitet 1990. Nuk ka keqardhje.

Se treti, Kosova është demokraci, Serbia jo. Kushdo që kufizohet me një autokraci është në rrezik.

Së katërti, Beogradi zyrtar mban lidhje të ngushta me presidentin despotik rus Putin. Vuçiq e ka takuar Putinin gati 20 herë në 10 vjet, takimi më i fundit më 25 nëntor 2021 në Soçi, tre muaj para fillimit të luftës.”   /n’zë/