Katër serialet që nuk duhet t’i humbni gjatë janarit

0

Janari gjithmonë është muaji i reflektimit.

Në tjetrën anë, është muaji i gjumit, kur shumica provojnë të mbushin bateritë për vitin që po i pret, mbushur me angazhime, me afate, me detyra, me shkrime, me gjithçka që është pjesë e përditshmërisë.

Megjithatë ka arsye të mos fleni, apo të qëndroni të relaksuar këtë janar. Netflix dhe platformat tjera me seriale do t`ua bëjnë janarin më të qetë, e pse jo edhe duke mbushur diapazonin e mendjes tuaj me më shumë fantazi e njohuri.

Po i sjellim këtu katër seriale të cilat do të mund t’i gjeni online e me to ta kaloni muajin e parë të 2019-tës.

YOU – Netflix

Seriali “You” është pjesë e Netflix. Çka do të bënit ju për dashurinë? A jeni gati edhe të vrisni për djalin që e doni, apo vajzën që e pëlqeni? A do ta përcillnit 24 orë? Çdo pengesë, secilën prej tyre, a do ta largonit lehtë prej rrugës? “YOU” është serial që sjellë paradoksin e rrjeteve sociale, ekspozimin e tepruar dhe shpesh të rrejshëm në rrjete sociale, dhe faktin se njerëzit ju përcjellin, e dini a se dini ju. Me 9 shtator të vitit të kaluar doli episodi i parë i “YOU”. Janarin me patjetër niseni duke e shikuar “YOU”, një seri me vrasje, dashuri, Instagram e shumë elemente tjera.

BLACK MIRROR – Netflix

Së fundmi u fol për episodin e ri të këtij seriali, “Bandersnatch”. Megjithatë, ju që ende se keni nisur serialin në Netflix apo në platform tjetra, bëjeni tash. “Black Mirror” tregon se bota po ecën drejt një modernizimi teknologjik të çuditshëm. Një episod për flutura që i hajnë njerëzit, një tjetër për vlerësimin e njerëzve me anë të sjelljeve të tyre në formën “rating”, dhe një tjetër me fëmijë të cilën rriten me senzorë të futur në trurin e tyre. Nisjani me episodin e ri “Bandersnatch”, por kthehuni edhe në episodat e parë, prej vitit 2011-të. 8.9 është nota që IMDB i ka dhënë këtij seriali futuristik i cili mbi të gjitha do t`ju mbajë në pritje në fund të çdo episodi.

AMERICAN HORROR STORY – FX

Po, është një serial komplet horror. Aty kanë luajtur mes tjerash edhe Lady Gaga e Jessica Lange. 8 sezona dhe 94 episoda ju presin t’i shikoni, ndoshta edhe brenda një jave, nëse keni kohë të uleni para laptopit a kompjuterit tuaj. Dramë, horror, pirje gjaku, jashtë-natyrales, gjithçka e keni brenda sezonave të këtij seriali. “Shtëpia vrasëse”, “Shtëpia e pleqve”, “Çmendina”, “Hoteli”, “Kulti”, “Apokalipsi” janë emrat e sezonave, pasi secili sezonë e ka një temë në vete, dhe një objekt ku zhvillohet. Seriali është nominuar për 303 çmime, prej të cilave i ka fituar 73.

DOGS OF BERLIN – NETFLIX

Dy policë investigojnë vrasjen e një futbollisti gjermano-turk. Ngjarja zhvillohet në Gjermani. Aktorët gjermanë dhe turq janë bashkuar për serialin që transmetohet poashtu në NETFLIX, dhe është lansuar vetëm muajin e kaluar, në dhjetor të 2018-tës. Seriali është në gjuhën gjermane, dhe ka dhjetë episode. Për ju që e doni dramën, por edhe futbollin dhe këtë dyshe të lidhur mes vete, ky serial është definitivisht për ju. Lista e të dyshuarve është e gjatë, njëjtë sikur drama dhe episodat e serialit që do t’ju mbajnë në emocion. / KultPlus.com