Maqedonia e Veriut ka një nivel të mirë të përgatitjes në fushën e Rrjeteve të Transportit Trans-Evropian (TEN-T), por në periudhën e kaluar nuk është vënë re ndonjë përparim domethënës, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.
Me pak fjalë ky është përfundimi i raportit të Komisionit Evropian (KE) për progresin e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së, në lidhje me gjendjen e infrastrukturës së transportit ndërkombëtar.
Në raport thuhet se ka shqetësim rreth mungesës së transparencës në procesin e dhënies së tenderëve për prokurimet publike për Korridorin 8 dhe Korridorin 10d.
“Projekti i Korridorit 8 dhe 10d vazhdon të ngjallë shqetësime, veçanërisht në lidhje me atë se si është përdorur Ligji për Investimet Strategjike për t’i anashkaluar rregulloret për prokurimet publike. Kontrata për ndërtimin e projektit më të madh infrastrukturor në historinë e vendit iu dha drejtpërdrejt një konsorciumi ndërkombëtar pa një proces ankandi konkurrues. Pastaj, përveç kësaj, marrëveshja është e shënuar si konfidenciale dhe nuk është bërë publike”, thuhet në raportin e KE-së.
Më gjerësisht, nga KE thonë se reformat për modernizimin e kornizës ligjore për partneritetet publiko-private kanë stagnuar.
“Korniza ligjore për prokurimin publik në masë të madhe është harmonizuar me atë të BE-së. Por vazhdon të jetë e pranishme praktika e vendosjes së disa kompanive në një “listë të zezë”, gjë që nuk është në përputhje me rregullat e BE-së”, thuhet në raportin e KE-së.
Në Raport shprehet shqetësimi për tejkalimin e buxhetit të parashikuar për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10d. Janë planifikuar 1,3 miliardë euro, ose 11,5 përqind e PVB-së së Maqedonisë së Veriut në vitin 2023.
Sipas raportit, buxheti i vlerësuar për zhvillimin e më shumë se dhjetë projekteve që janë pjesë e TEN-T nuk është mjaftueshëm i lartë për t’i mbuluar të gjitha shpenzimet.
“Më shumë se gjysma e rrjetit rrugor në vend nuk është në përputhje me rregulloren për TEN-T. Por, Korridori 10 është më i avancuar në këtë aspekt sesa Korridori VIII. Strategjia Kombëtare e Transportit (NTS) për periudhën 2018-2030 është në përputhje me zhvillimin e TEN-T. Por nuk ka një plan konkret veprimi për zbatimin e saj”, thuhet në raport.
Sa i përket infrastrukturës hekurudhore, edhe pse ka progres në ndërtimin e hekurudhave të Korridorit 8, në raportin e KE-së theksohet se faza e tretë e projektit, gjegjësisht pjesa e hekurudhës nga Kriva Pallanka deri në kufirin me Bullgarinë u ndërpre nga qeveria e RMV-së.
Kujtojmë se Komisioni Evropian vlerësoi se edhe prokurimet publike dhe kontrolli financiar, respektivisht kapitujt 5 dhe 32, kanë bërë përparim të kufizuar gjatë periudhës. Kërkohet që të rritet konkurrenca gjatë prokurimeve publike dhe të përdoret kriteri për tenderë ekonomikisht më të favorshëm. Bashkimi Evropian është në dijeni të korrupsionit gjatë prokurimeve dhe kërkon nga autoritetet të zbatojmë masa më efektive. Edhe këtë vit, u kërkua pavarësia e Entit Shtetëror për Revizion (ESHR) e cila duhet garantuar me Kushtetutë. Nga ana tjetër, kapitulli 18, “Statistikat”, ka shënuar njëfarë progresi, por përsëri ka rekomandime nga viti i kaluar.
LEXO: Prokurimet dhe Kontrolli financiar pa progres, kapitulli “Statistikat” ka pak lëvizje, BE kërkoi sërish pavarësinë e Revizionit
Raporti i KE-së për progresin në reforma të vendeve kandidate për anëtarësim në BE, u publikua më 30 tetor. Në fushën e luftimit dhe parandalimit të luftës kundër korrupsionit u tha se Maqedonia e Veriut nuk ka bërë përparim dhe se korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha dhe është një çështje shqetësuese serioze. Korniza institucionale për luftën kundër korrupsionit është e vendosur dhe është e kënaqshme për sa i përket masave parandaluese, megjithatë, nevojitet përmirësim në zbatimin e ligjit.