Këmbët dhe gishti i diktatorëve!

0

Bardhyl Mahmuti

Logjika diktatoriale, pa marrë parasysh se me çfarë “kostumi” vishet, bazohet në stereotipë të ngjashëm.
Si në “Hapat gjigant” të Stalinit, në “Kërcimin e madh përpara” të Maos ashtu edhe në 100 hapat e Nikolla Gruevskit ambiciet lidhen për këmbësh!
Situata aktuale që kalon populli shqiptar në Maqedoni më shtyn të sjell për lexuesin disa momente nga Kina diktatoriale.
Programi i “rilindjes” komuniste kineze “Kërcimi i madh përpara” i periudhës 1958-1962 solli dëme të mëdha si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Eksperimenti i programeve që lidhen për këmbësh, i lidhën zorrët e popullit Kinez.
Për shkak të varfërisë së madhe, nga mungesa e ushqimit vdiqën miliona njerëz. Njohësit e mirë të kësaj periudhe të historisë kineze sjellin shifra që shkojnë nga 15 – 38 milionë njerëz që vdiqën nga pasojat e urisë gjatë këtij eksperimentimi.
Varfëria e madhe që kaploi popullsinë, padrejtësitë që bëheshin në çdo pore të jetës politike, ekonomike dhe kulturore, proceset e montuara gjyqësore janë faktorët që ndikuan që populli të humbas besimin në “qeverinë popullore”.

Kjo revoltë do të merr përmasa të mëdha në vitin 1966, revoltë që u shpreh me manifestime, në radhë të parë nga rinia studentore, e më pas nga shtresa të gjëra popullore. Kur manifestuesit ju drejtuan ndërtesave të “qeverisë popullore”, MaoCe dungu, me dinakëri të paparë në historinë politike, doli nga selia e partisë, iu bashkua manifestuesve dhe drejtoi gishtin drejtë ndërtesave të qeverisë: Ata janë fajtorët kryesor për gjendjen e mjerueshme!
Manifestuesit, të entuziazmuar nga prezenca e liderit partiak në mesin e tyre, harruan përgjegjësitë e liderit. Ju vërsulën të gjithë atyre që kishin kritikuar Maon për Projektin “Kërcimi i madh përpara”. Spastrime në qeveri, në parti, në institucionet arsimore, në institucionet kulturore…. Filloi “Revolucioni Kulturor”…!
Për t’i dhënë përgjigje urisë së madhe, gjatë “Revolucionit kulturor” u lejua kanibalizmi! Në bazë të shkrimtarit të njohur kinez Zheng Ji, vetëm në provincën Shanxi u vranë dhe u hëngrën mbi 10.000 persona, ndërsa në provincën Guangxi rreth 100.000 persona….
Pjesa dërmuese e tyre ishin intelektual dhe shkencëtar të fushave të ndryshme.

Krahas përndjekjes së intelektualëve dhe të shkencëtarëve objekt i shkatërrimit të “Revolucionit kulturor” ishte kultura tibetase. Për një periudhë shumë të shkurtë u shkatërruan tërësisht apo pjesërisht mbi 6000 tempuj dhe manastire në Tibet.
Eliminimi i intelektualëve dhe shkencëtarëve i ka detyruar historianët dhe analistët e ndryshëm politik të përpiqen t’i japin përgjigje urrejtjes së Maos ndaj kësaj kategorie shoqërore, që në shoqëritë jo-diktatoriale janë motor i përparimit shoqëror.

Shumica e analistëve mbështesin shpjegimin e kësaj urrejtje të Maos ndaj intelektualëve dhe shkencëtarëve me dështimet e veta që të përfundojë studimet universitare. Ai përfundoi vetëm shkollën pedagogjike normale dhe me këtë përgatitje shkollore ai gjeti një punë si bibliotekist.
Një problem tjetër i Maos, që theksojnë analistët, lidhet me të folmen e tij. Ai përdorte një dialekt të krahinës së tij (dialektin xing) dhe asnjëherë nuk arriti të mësoj gjuhën standarde kineze (putonghua). Për shkak të kësaj paaftësi që të flasë gjuhën standarde kineze, Mao do të jetë shpesh objekt talljeje nga intelektualët që frekuentonin bibliotekën ku punonte.
Një ndër veprimet e para të “Revolucionit Kulturor” të Maos ishte spastrimi i BEIDA-së (Universitetit të Pekinit) nga intelektualët dhe shkencëtarët e dëshmuar.

Zëvendësimi i profesorëve me renome me asistent dhe studentë të padiplomuar përbën vetëm një segment të Programeve që “lidhen për këmbësh”….
Mund të zgjatemi në këtë shkrim me argumente të panumërta për logjikën diktatoriale që “lidhi zorrët” e popullit nga varfëria.
Në Maqedoni, “Rilindja Maqedonase në 100 hapa” shkaktoi varfëri të skajshme të popullsisë në përgjithësi dhe të shqiptarëve në veçanti. Edhe pse kanibalizmi nuk është legalizuar, jemi duke “e hëngër njeri-tjetrin”…; Shkatërrimi i kulturës dhe identitetit shqiptar përbën vijën politike të institucioneve shtetërore: shpronësime, shkatërrime monumentesh, humbje gjurmësh arkeologjike, burgosje, tortura, gjykime, plagosje, vrasje…
“100 hapat” e kësaj rilindje maqedonase paraqesin çizmen e okupatorit: që shkel mbi kurriz të popullit shqiptar, mbi kulturën dhe identitetin tonë, mbi dinjitetin dhe jetën tonë, mbi të tashmen dhe të ardhmen e popullit shqiptar në trojet e veta historike….

Të shpresojmë që në protestat që mund të shpërthejnë një ditë nuk do të shohim ndonjë lider partiak, që ka qenë me rotacion në institucionet qeverisëse, t’u bashkohet manifestuesve dhe të drejtojë gishtin drejtë ndërtesave të qeverisë: Ata janë fajtorët kryesor për gjendjen e mjerueshme të popullit shqiptar!

(Ky shkrim është shkruar më 23 prill 2010)