Keqmenaxhimi i plazheve ose t’i mohosh vendit zhvillimin ekonomik

0

Nga Redi Ametllari*

Në periudhën korrik-nëntor 2018, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka realizuar një auditim performance me temë “Menaxhimi i plazheve”, ku janë analizuar kuadri ligjor, praktikat e mira të vendeve fqinje dhe performanca e aktorëve menaxhues, përkatësisht pushtetit vendor dhe atij qendror. Përmbledhtazi, auditimi ka arritur në konkluzionin se turizmi në Shqipëri nga plazhet nuk është konkurrues me vendet e rajonit dhe nën potencialin e zhvillimit të vet, duke mbetur jashtë tregut europian të turizmit. Profilizimi ligjor i menaxhimit të plazhit është përkthyer edhe në një profilizim ekonomik të tij. Ndonëse plazhet zënë rreth 0.001% e territorit të Spanjës, ato gjenerojnë 10% të GDP-së. Në SHBA, në plazhin e Majamit, investohen $65 milionë dhe përfitohen $2 miliardë të ardhura në vit. Vetëm të ardhurat nga taksat federale sjellin $130 milionë (2 herë sa investimi). Për të mos u dukur sikur fluturojmë pas ëndrrës amerikane, e për të qenë gjeografikisht të krahasueshëm, në shtetin fqinj, Kroaci, nga menaxhimi i bregdetit përfitohen të ardhura në rreth 20% të GDP-së. Nga analiza e vendeve mesdhetare dhe fqinje rezulton se Shqipërisë i mungon një ligj i posaçëm për plazhet, përfshirë edhe mbrojtjen kushtetuese. Ndonëse 51% e turizmit europian e ka epiqendrën e aktivitetit në Mesdhe, vendet fqinje dhe ato mesdhetare janë bërë stacione kyçe të “trafikut” turistik duke e inkuadruar plazhin në një kornizë solide ligjore. Kushtetuta greke (1975), në nenin 24, përcakton se zonat bregdetare janë një e mirë publike dhe se në zhvillimin e tyre duhet bërë kujdes. Në vitin 1978, Kushtetuta Spanjolle u ndryshua për të përkufizuar në mënyrë eksplicite plazhet si pronë publike, duke vënë në pah se rregullimi i tyre bëhet me ligj të veçantë. Në Mal të Zi në vitin 1992 u themelua Shoqëria Publike e të Mirave Detare (Morsko Dobro) me qëllim menaxhimin e zonës bregdetare, e cila është në varësi të Ministrisë së Turizmit, si dhe ka miratuar një ligj për plazhet (Zakon o Vodama), me 175 nene. Çka natyra ka prioritizuar te Shqipëria si vend bregdetar nuk është i prioritizuar me buxhet dhe me ligj. Mungesa e prioritizimit reflektohet edhe në ndarjen e buxhetit, ku për zhvillimin e turizmit alokohen rreth 3 milionë euro ose 0.075 % e buxhetit. Sipas të dhënave nga INSTAT, Shqipëria përthith turistë nga vendet fqinje (Kosova 35%, Maqedonia 13%, Greqia 10%, Mali i Zi 10%, Italia 10%) dhe për periudhën 2013-2017, vetëm 4 nga 10 shtetas të huaj kanë ardhur për pushime. Krahasuar me Malin e Zi, me më pak se 1/3 e bregdetit shqiptar, rreth 82% e turistëve vijnë nga vendet e BE-së ndërsa kontributi direkt i turizmit është 11% e GDP-së krahasuar me 8.5% (e diskutueshme) të GDP-së në Shqipëri.

Ndërkohë, nga rreth 5 mln shtetas që kanë hyrë në Shqipëri, rreth 2 mln kanë ardhur për turizëm, nga të cilët 48% kanë ardhur vetëm gjatë sezonit të verës, çka sugjeron një preferencë për plazhet. Megjithatë, kjo shifër, nga ana metodike, s’ka peshë të madhe besueshmërie, pasi në Shqipëri nuk ka ende një të dhënë reale statistikore mbi numrin e turistëve. Përdorimi si njësi matëse e hyrje-daljeve në kufi nuk bën pjesë në metodologjinë e statistikave turistike, siç figuron në Eurostat apo në vende të tjera. Konceptet e “vizitorit”, “turistit” dhe “ekskursionistit” janë tre kategori të ndryshme të përkufizuara veçmas, dhe bazuar në rekomandimin e “World Tourism Organization”, duhen trajtuar më vete në statistikat mbi turizmin. Një nga faktorët kryesorë që ka ndikuar negativisht në turizmin shqiptar është fakti se plazhet shqiptare janë të vetmet në Europë dhe rajon që nuk kanë marrë një certifikim turistik “blue flag” pastërtie dhe sigurie, i cili ka rëndësi madhore për promovimin turistik të plazheve të Shqipërisë, sepse sipas statistikave ndërkombëtare, rreth 61% e turistëve kontrollojnë së pari cilësinë e plazheve para se të vizitojnë një vend. Në aspektin e menaxhimit institucional ka mbivendosje detyrash dhe ndonëse ekzistojnë një varg institucionesh qendrore rreth 5 syresh, përjashtuar degët rajonale (Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia e Turizmit, Agjencia e Bregdetit, Inspektorati i Turizmit, Agjencia Zonave të Mbrojtura), burimi kryesor turistik, plazhi, nuk mbulohet direkt prej tyre dhe shfaqja e menaxhimit shtetëror ndodh në nivel vendor, në bashki, burimet financiare dhe njerëzore të të cilave nuk arrijnë të realizojnë një menaxhim të plazheve në funksion të turizmit, por e administrojnë në funksion të mbledhjes së të ardhurave vendore, pra jo si aktivitet ekonomiko- turistik. Lidhur me aksesueshmërinë, qytetarët dhe turistët hasin dy barriera: ligjore dhe fizike, përfshirë urbanizimin e skajshëm. Lënia në dispozicion publik të 20% të territorit të përgjithshëm, dhe jo për një plazh specifik, kthehet nga një detyrimi objektiv ligjor, në një detyrim subjektiv. Nga vëzhgimet në terren rezulton se 20% që i rezervohet publikut përbën një territor plazhi që për shkak të problemeve të higjienës apo distancës së largët, nuk është i përshtatshëm dhe i aksesueshëm nga qytetarët. Kjo shkakton një përmbushje të detyrimit ligjor sa për efekt statistikor, dhe jo në funksion të mbrojtjes së aksesit të publikut në plazhe. Nga ana tjetër, konstatohet një masivizim i stacioneve të plazhit përmes kontratave të qirave të plazheve publike, duke sjellë më së shumti një burim informalizimi për të ardhurat vendore. Stacionet e plazhit shpesh zënë një sipërfaqe 2-5 herë më shumë sesa e ajo e shprehur në kontratë dhe paguajnë mesatarisht rreth 10 lekë në ditë për shezlong, ndërkohë që sigurojnë një fitim që është rreth 50 deri 100 herë më i lartë sesa tarifa që paguajnë. Ky masivizim i stacioneve të plazhit, pa patur një treg të konsoliduar të këtij shërbimi turistik, ka sjellë që stacioni i plazhit të shihet si një biznes sezonal e i përkohshëm, duke mos qenë një veprimtari që pikësëpari duhet të pasqyrojë standarde të larta turistike dhe reflektojë politika turistike afatgjata. Lidhur me çështjen e vrojtuesit të plazhit, problemi është se nuk njihet si profesion. Paqartësia dhe vakumi ligjor që krijon kuadri rregullator konsiston në faktin se ka caktuar një standard për vrojtues pa patur një institucion certifikues dhe një akt ligjor që rregullon profesionin e vrojtuesit të plazhit. Janë konstatuar raste në terren ku, në mënyrë improvizore, disa stacione plazhe ngrenë kulla vrojtimi të cilat janë bosh, për të përmbushur në dukje një detyrim ligjor. Duke qenë se është një profesion tepër specifik dhe me përgjegjësi të lartë, sepse lidhet me shpëtimin e jetës dhe në vende si SHBA dhe Europë kërkon ndjekjen e një trajnimi rigoroz, ekzistenca e instituteve përkatëse për trajnim dhe licencim duhet ishte hapi kryesor. Në Greqi, p.sh., certifikimi dhe trajnimi bëhet në Shkollën e Edukimit Fizik.

Në rekomandimet e lëna nga KLSH, marrë parasysh bilancin tragjik të sezonit veror të 2017 ku 30 qytetarë dhe turistë kanë humbur jetën si pasojë e mbytjes në det, kemi kërkuar që përgjegjës për kontraktimin e vrojtuesit të plazhit të jetë autoriteti vendor, bashkia (jo stacioni i plazhit që e neglizhon) dhe që kostoja e vrojtuesit të plazhit të përfshihet në tarifën për dhënien me qira të stacioneve të plazhit. Po ashtu, kemi rekomanduar që të përcaktohet institucioni përgjegjës për licencimin dhe trajnimin e vrojtuesit. Lypset edhe ndryshimi i aspekteve teknike: jo për çdo 250 m, por për çdo 100 m të ketë vrojtues plazhi, për të mbuluar me eficiencë monitorimin e pushuesve, pasi sipas studimeve shkencore, sugjerohet se gjerësia më optimale e plazhit për t’u vrojtuar nga vrojtuesi është 106 m, distanca më optimale nga bregu deri në det është 98m dhe distanca më e largët për të vrojtuar është 85m. Përgjatë bregdetit shqiptar do të duhen rreth 5000 vrojtues plazhi, një statistikë kjo mjaft optimiste për punësimin e të rinjve shqiptarë gjatë sezonit veror. Turizmi në Shqipëri mbetet një koncept i përgjithshëm dhe i pa orientuar dhe vet Ligji për Turizmin Nr.93/2015 e ka ruajtur këtë qasje përgjithësuese, duke mos përbërë një politikë shteruese për të përcaktuar bregdetin si prioritet turistik. Sipas një studimi të kryer nga Inxhinier Xhevair Ngjeqari mbi Gjirin e Shëngjinit “nuk ka asnjë hapësirë litorale në detin Adriatik ku natyra brenda një hapësirë të kufizuar, ka dyndur gjithë relievet detare, bregdetare, tokësore, ranore, kodrinore, shkëmbore, lagunore, ligatinore, gjelbërimin e florës dhe lulëzimin e faunës si në Gjirin e Shëngjinit”. Sa i përket rërës së bregdetit Shëngjin-Tale, sipas Inxhinier Ngjeqarit është “një rërë e veçantë, produkt i pastër i një deti në punë të pandalshme, ku prurjet inerte që nisen nga malet nuk kanë kohë të treten rrugës për arsye se lumenjtë që i sjellin nuk kanë gjatësi të madhe”. Jo pa qëllim nxjerrim në pah këtë studim për të treguar tiparet karakteristike të bregdetit shqiptar, origjinaliteti i të cilit e bën të domosdoshme zbatimin e një qasjeje të re në menaxhimin e plazheve, produkti përfundimtar i të cilës do të reflektohej në ngritjen e standardeve të turizmit, duke i dhënë njëkohësisht hov zhvillimit të ekonomisë së Shqipërisë, sikurse kanë bërë fqinjët.

*Autori është auditues në KLSH