Kërcënime në adresë të Fatime Fetait, ja kush alarmon?

Komiteti i Helsinkit në Maqedoninë e Veriut ka përgatitur raport lidhur me protestën kundër dënimeve në rastin “Monstra”, ku thekson parregullsitë dhe nxitjen e incidenteve si nga policia, poashtu edhe nga protestuesit. Kjo organizatë kërkon dënime edhe për protestuesit edhe për policët që kanë shkaktuar incidente.

Komiteti i Helsinkit vëren se prej dy sulmeve ndaj gazetarëve, njëri nga ana e policisë dhe njëri nga protestuesit, MPB ka informuar vetëm për gazetarin e sulmuar nga protestuesit, transmeton gazeta Lajm. Poashtu KH potencon se kjo ngjarje ishte një nga temat kryesore në opinion, kurse rrjetet sociale “vlonin” nga gjuha e urrejtjes.

“Analiza e komenteve të bëra në portalet me ndikim në gjuhën shqipe dhe maqedonase, për fat të keq na kthen në retorikën dhe narrativin e para/pas konfliktit të vitit 2001. mbizotërojnë kërcënime me jetë ndaj disa liderëve politikë, e veçanërisht ndaj prokurores publike Fatime Fetai, si dhe thirrje për bashkim në baza etnike për zgjidhje të dhunshme të raporteve me bashkësi tjetër dhe ngjashëm”, thuhet mes tjerash në raport.