Kërcënimet nga Beogradi, Arifi: Kosovës që nga 99-a nuk i intereson se çka thonë ministrat serbë

0

Deklaratat e ministrit të Punëve të Jashtme serb, Ivica Daçiq, se Serbia është e gatshme të ndërhy me forcë në veri të vendit, kanë shkaktuar reagime të mëdha në Prishtinë.
Madje, një diskurs i tillë kërcënues sot gjatë ditës është përdorur edhe nga ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, raporton lajmi.net.I njëjti tha se Serbia është në gjendje gatishmërie që nëse është nevoja të ndërhyjë në veri të Kosovës.

Në lidhje me këtë çështje, për lajmi.net ka folur shefi i kabinetit të kryeminstrit Haradinaj, Avni Arifi.

Ai ka thënë se Kosovës që nga viti 1999 nuk i intereson se çka thotë ministri i Jashtëm i Serbisë.

“Nuk aktivitet që e mas me aktivitetin e ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë. Kosovës që nga viti 1999 nuk i intereson se çka flet ministri i Jashtëm serb”, ka thënë shkurt Arifi për lajmi.net.

Arifi po ashtu ka thënë se diskursi i Serbisë gjithëherë ka qenë i tillë, dhe se opinioni duhet të fokusohet më shumë në atë se çka thonë ministrat kosovarë dhe jo ata serbë.

E Arifi nuk është zyrtari i vetëm që ka reaguar ndaj deklaratave që po vijnë nga Beogradi.

Më herët gjatë ditës, ishte zëvendësministri i Brendshëm, Selami Shkodra ai që përmes një postimi në Facebook, ministrin e Brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviq e kishte quajtur ministër foshnjor.