Prokuroria kërkon nga gjykata që të shqiptohen masa kujdesi ndaj dy vëllezërve të moshës 42 dhe 35 vjeçe, të cilët sipas Prokurorisë, në disa raste kanë kërcënuar kryetarin e komunës së Haraçinës, Ridvan Ibrahimi, përcjell TV21.
Prokuroria ka nisur procedurë ndaj dy vëllezërve, ndërsa kërkon nga gjykata që të njëjtëve t’u merret pasaporta, t’u ndalohet që të largohen nga vendbanimi i tyre, t’u ndalohet hyrja në komunën e Haraçinës dhe çdo lloj kontakti me kryetarin e komunës.
“Të dyshuarit, të moshës 42 dhe 35 vjeçare, në disa raste përmes telefonit e kanë kërcënuar zyrtarin – kryetarin e Komunës së Haraçinës, duke i shkaktuar pasiguri, ankth dhe frikë. Pasi i ka denoncuar ata kanë vazhduar me kërcënime serioze për të sulmuar jetën dhe trupin e tij, përmes mesazheve në Viber”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Prokurorisë./TV21