“Kërkesave tona për të mbrojtur bredhin e Nënës Terezë, zonja Arsovska iu përgjigj me sëpatë dhe sharrë!”

“Arsyeja pse jemi sot para jush, gazetarë të nderuar, vjen si pasojë e mospajtimit tonë ndaj autoriteteve të Qytetit të Shkupit me mënyrën se si ata po e trajtojnë trashëgiminë e shejtë të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë. Dhe ishte ngjarja e fundit që na dëshmon se ky keqtrajtim fatkeqësisht e ka njëfarë vazhdimësie, sepse në fillim u dëmtua pllaka përkujtimore e Nënës Terezë dhe Qyteti i Shkupit nuk reagoi fare. Tani shkohet edhe më tutje me këtë keqtrajtim, duke e shkatërruar pamëshirmshëm një bredh të cilin Nëna Terezë e kishte mbjellë me dorën e vet para 40 viteve, me rastin e vizitës së saj të fundit në Shkup në vitin 1980”, deklaroi Skender Asani nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup.

Sips tij, në Shkup para pak ditësh era kishte shkulur bredhin e Nënës Terezë dhe ne si Institut apeluam që ndaj këtij bredhi të kihet kujdes maksimal, sepse shpresonim që bashkë me Qytetin e Shkupit do të gjejmë një gjuhë të përbashkët sa i përket rimbjelljes së këtij bredhi në vendin e njejtë.

“Shpresonim se kyetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, do ta merr seriozisht apelin tonë për të mbrojtur këtë bredh të rrallë, por kjo nuk ndodhi. Në vend se të ruhet nga dëmtimi i mëtejm, bredhi u pre dhe u copëtua në disa pjesë nga NP “Parqe dhe Gjelbërime”. Kjo Ndërmarrje Publike e Qytetit të Shkupit, pa përfillur fare kërkesat dhe sugjerimet tona profesionale, ka cënuar vrazhdë elementin historik e kulturor të trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut- Nënës Terezë, për arsye se përpos që bredhi ishte mbjellë nga vet dora e Nënës Terezë, ai shënjonte edhe vendodhjen ku ishte edhe shtëpia e saj e lindjes. Madje me shkatërrimin e këtij bredhi, Qyteti i Shkupit, me apo pa qëllim, po e shkul edhe sentimentin ndaj një komuniteti të rrezikuar nga zhbërja, siç janë katolikët e Shkupit. Këta të fundit nuk kanë as meshë në gjuhën shqipe, por edhe ky problem do të merr udhën e zgjidhjes me emërimin e një meshtari që do të mbaj meshën në gjuhën amtare të katolikëve të Shkupit”, theksoi Asani.

Ai shtoi se kërkesavetë një pasnjëshme drejtuar zonjës Arsovska, për një takim konsultativ, iu përgjigjën vetëm sëpatat dhe sharrat që ajo i komandon përmes NP “Parqe e Gjelbërime”.

“Për dallim nga zonja Arsovska e cila vazhdon ta vëzhgoj situatën nga distanca, dhe të sillet me indiferentizëm të pajustifikueshëm, ishte ambasadori austriak, miku im, Shkëlqesia e tij z.Georg Uotsas, i cili menjëherë, bashkë me stafin e tij doli në terren dhe mblodhi boçat që kishin mbetur pas shkatërrimit të bredhit të Nënës Terezë. Ideja e tij ishte gjeniale, sepse sado që dikush mundohet ta fsheh krimin, gjurmët e tij sërish ngelin në vendin e krimit.

Me këtë gjest, ambasadori austriak përpos që u solidarizua me revoltën e ITSHKSH për dëmin që i është shkaktuar një trashëgimie të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze, ai njëherësh dërgoi mesazhin e paqes dhe të përtrirjes, që ishte edhe mision i vet Nënës Tereze. Ideja për të grumbulluar boçat e këtij bredhi të shkatërruar dhe ruajtja e tyre si relikt që do të shërbenin edhe si fara për të mbjellë një bredh të ri, e shpreh më së miri thelbin e këtij mesazhi të ambasadorit austriak.

Por, ata që coptuan këtë bredh kishin harruar t’i marrin me vete edhe boçat plot me fara, prandaj do të jetë e pamundur që të fshihet e kaluara e lavdishme e familjes Bojaxhiu nga Shkupi, sepse fara e paqës dhe miqësisë e Nënës Terezë do të vazhdojë të përhapet edhe përmes këtyre boçave.

U jemi shumë mirënjohës gjthë atyre që ndanë me ne shqetësimin dhe revoltën ndaj këtij akti të shëmtuar. Sidomos u jemi mirënjohës diplomatëve të akredituar në Shkup, të cilët përpos që po dërgojnë raporte në qendrat e tyre mbi këtë goditje që po i bëhet trashëgimisë së Nënës Terezë, ata edhe me gjeste konkrete, siç ishte Ambsadori Austriak, z. Uotsas, po na tregojnë dhe po na sjellin përvojat e tyre të shkëlqyera se vetëm duke e ruajtur trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore, mund të ndërtohen perspektiva të ndritshme për një shoqëri dhe një shtet”, nenvizoi kreu i ITSHKSH, Skender Asani.

Ai tha se ITSHKSH konsideron se trashëgimia e Gonxhe Bojaxhiut-Nënë Terezës është e gjerë dhe ajo duhet ruajtur si sytë e ballit, përfshi edhe këtë bredh, por edhe pllakën e cila u dëmtua ditë më parë dhe autoritetet e Qytetit të Shkupit ende nuk kanë dhënë një pistë të duhur mbi epilogun e hetimeve sa i përket autorëve keqbërës të kësaj vepre të shëmtuar.

“Është për të ardhur keq se si një Ndërmarrje Publike e Qytetit të Shkupit, siç është “Parqet dhe Gjelbërimet” të tregohet kaq e pamëshirshme ndaj drunjve që janë simbol i Shkupit dhe si është e mundur që udhëheqësit e kësaj ndërmarrje aq shpejt kanë vendosur për fatin e këtij bredhi, pa kurrfarë konsultimi paraprak me ekspertë të ndryshëm. Për të qenë absurdi edhe më i madh, drejtori i kësaj NP jep një arsyetim qesharak dhe jo bindës, se gjoja ka qenë e pamundur të rikthehet në vendin e mëparshëm ky bredh, ndonëse e vërteta është krejt tjetër pasi që ka mundur të sanohet gjendja dhe të mos vijë deri te dëmtimi i kësaj peme historike. Rimbjellja e këtij bredhi ka mundur të bëhet pa kurrfarë problemi, pasi që kanë ekzistuar të gjitha parakushtet për një gjë të tillë, vetëm ka mjaftuar që të futet pak më thellë seç ka qenë më parë. Plot raste në botë ndodhin që të bëhet zhvendosja e drunjëve dhe kjo kryhet pa kurrfarë problemi, pasi që ekzistojnë të gjitha parakushtet bio-vegjative që drunjtë e tillë sërish të përtërihen.

Nëna Terezë ishte paqësore dhe ajo po të ishte gjallë do t’i falte ata që me sharrë e sëpatë shkatërruan bredhin e saj. Duke ndjekë këtë parim të shenjtë të saj, edhe ne si ITSHKSH po duam që misionin e saj ta shtrijmë edhe më tutje, duke përhapur farën e dashurisë e mirkuptimit në disa qendra rajonale, përmes boçave të bredhit që ajo e kishte mbjellur dikur në Shkup. Do të mbjellim shumë bredha të tjerë dhe do të bëjmë parqe nga to, sepse vetëm kështu e arsyetojmë dinjitetshëm udhën e miqësisë dhe dashurisë që e kishte hapur Nëna Terezë. Në pritje të kërkesës sonë që është elaboruar detajisht mbi shpallejn e trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut-Nënës Terezë – “aset kombëtar në mbrojtje të shtetit”, po shpresojmë që përfundimisht edhe ne si shoqëri dhe si shtet do të vendosim një raport të drejt e korrekt ndaj elementeve të trashëgimisë kulturore e shpirtërore, që na bëjnë të veçantë, por edhe bashkëpunues me njëri tjetrin”, theksoi Asani.(INA)