Këshilltarët e Trumpit thonë se zgjedhjet në ShBA nuk do të shtyhen

0

Zyrtarët e lartë të Shtëpisë së Bardhë dhe udhëheqësit e fushatës së presidentit amerikan Donald Trump kanë thënë se zgjedhjet presidenciale do të mbahen më 3 nëntor ashtu siç kanë qenë të planifikuara.

Shefi i stafit në Shtëpinë e Bardhë, Mark Meadows, tha se presidenti amerikan i ka ngritur shqetësimet rreth votave me postë, kur e ka përmendur idenë e shtyrjes së zgjedhjeve. Megjithatë, ai tha se zgjedhjet do të mbahen më 3 nëntor, shkruan “Reuters”, transmeton “Express”.

“Do të mbajmë zgjedhje më 3 nëntor dhe presidenti do të fitojë”, tha Meadows për një emision të televizionit CBS.

Këshilltari për fushatë i Trumpit, Jason Miller, e dha të njëjtin qëndrim në televizionin “Fox News”, duke thënë: “Zgjedhjet do të mbahen më 3 nëntor dhe presidenti Trump dëshiron që zgjedhjet të mbahen më 3 nëntor”.

Të enjten, kreu i Shtëpisë së Bardhë e përmendi mundësinë që zgjedhjet të shtyhen, por menjëherë u kundërshtua nga demokratët dhe republikanët në Kongres, institucioni i vetëm që ka të drejtë të bëjë një ndryshim të tillë.

Presidenti amerikan vazhdimisht është përpjekur ta cenojë besimin në votat me postë, duke pretenduar pa dëshmi se ato do të shkaktojnë mashtrim të gjerë.