Këto janë dëmet për Maqedoninë nëse anulohet referendumi për emrin

0

Izolim, kthim të regjimit, humbje të besimit nga BE dhe anasjelltas. Këto janë vetëm disa nga dëmet që do t’i pësonte Maqedonia nëse eventualisht anulohet mbajtja e referendumit për çështjen e emrit në afatin e paraparë, gjegjësisht në vjeshtë apo deri në fund të muajit tetor. Kështu vlerësojnë për Portalb.mk, kryetari i Këshillit Euro-Atlantik, Ismet Ramadani dhe analisti politik, Petar Arsovski, shkruan Portalb.mk.

Petar Arsovski

Petar Arsovski

“Nëse nuk mbahet referendumi në afatin e paraparë dëmi do të jetë shumë i madh, Maqedonia do ta humb mundësinë që të integrohet në BE dhe NATO, Maqedonia do të hapen probleme të tjera, të cilat do të marrin edhe dimensionin ndëretnik, jo vetëm maqedonaso-maqedonase, por edhe me shqiptarët, Maqedonia do të mbyllet në vete, do të izolohet, do të ndërmerren masa ekonomike, politike diplomatike dhe dëmet do të jenë të paparashikueshme”, thotë vlerëson Ramadani.

Edhe Arsovski është i mendimit se nëse anulohet mbajtja e referendumit në vjeshtë, Maqedonia do t’i kthehet periudhës së errët të regjimit dhe të izolimit.

“Nëse e gabojmë atë afat, rrezikojmë që Greqia mund të mos e ratifikojë Marrëveshjen dhe me këtë rrezikojmë që tërë përpjekjet të bien poshtë. Atëherë, Maqedonia kthehet në regjimin e vjetër të fazës së papastruar demokratike. Në këtë rast do të humbej besimi i BE-së ndaj Maqedonisë, por njëkohësisht edhe besimi i Maqedonisë ndaj BE-së. Pra unë mendoj guxon të anulohet referendumi, se nuk ekziston ndonjë skenar që do të ishte në dobi të Maqedonisë”, thotë Arsovski.

 

VMRO-DPMNE mund ta anulojë referendumin, por do t’i bëjë dëm vetes

Kushtëzimi eventual i referendumit nga partia opozitare VMRO-DPMNE me kërkesë për amnisti të pjesëmarrësve në dhunën e 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë, ose moszgjedhja e anëtarëve të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, janë dy skenarë që mund t’i bëjnë dëm Maqedonisë, pasi që nëse realizohen mund ta anulojnë referendumin, megjithatë njëkohësisht mund ta dëmtojnë edhe vetë partinë, e udhëhequr nga Hristijan Mickoski.

Ismet Ramadani

Ismet Ramadani

“VMRO-DPMNE-ja e ka mundësinë që ta pengojë mbajtjen e referendumit, por e njëjta do të ju kthehet bumerang, sidomos nga faktori ndërkombëtar, për ekzistimin e tyre si parti politike, por njëkohësisht ajo do të jetë në dëm të paparashikueshëm për Maqedoninë. Por nuk e besoj që ata do të rrezikojnë aq shumë që nëpërmjet formimit të Komisionit për Zgjedhje ta bojkotojnë ose ta rrezikojnë referendumin, por nëse shkojmë në variantin më të keq dhe vendosin kështu, atëherë ata më të keqen që mund t’ia bëjnë ia bëjnë vetvetes. Përndryshe, KSHZ-në mund ta thërret edhe kryetari i Kuvendit nëse nuk e thërret kryetari i Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, Ilija Dimovski, por ka mundësi që ta thërret edhe shumica e anëtarëve të Komisionit për Zgjedhje dhe emërime. Në këtë aventurë nëse hyn VMRO-DPMNE-ja, ajo mund të digjet vetë, por edhe Maqedonisë mund t’i bëjë dëm”, thotë për Portalb.mk Ramadani.

Arsovski nuk e përjashton mundësinë që VMRO-DPMNE-ja të bëjë vetëvrasje politike, megjithatë sipas vlerësimit të tij, partia nuk fiton asgjë, nëse anulohet referendumi për shkak të tyre.

“Nuk duhet të nënvlerësohet kapaciteti i partive të brendshme politike që të bëjnë vetëvrasje. VMRO-DPMNE mund të bëjë 100 punë, mund ta kushtëzojnë me amnisti, mund të dalin prej bisedimeve politike, apo të dalë nga Kuvendi, megjithatë ato skenarë nuk janë të mira edhe për to. Me këtë, ata mund ta dëmtojnë Maqedoninë, por e njëjta për to, do të thotë vendim me vdekje, nuk munden të dalin me qëndrime kundër gjithë botës. Unë nuk shoh se cili do të ishte fitimi i VMRO-DPMNE-së”, vlerëson Arsovski.

 

Referendumi për emrin – kyç për të ardhmen euro-atlantike të Maqedonisë

Kryeministri Zoran Zaev, ka përmendur tre data për mbajtjen e referendumit për emrin, gjegjësisht 23 dhe 30 shtator, si dhe 7 tetor, ndërkaq pas kësaj nëse i njëjti kalon pozitivisht atëherë pritet që të ketë ndryshime kushtetuese. Sipas Zaevit referendumi do të ketë karakter obligator, ndërkaq të gjitha obligimet që janë planifikuar janë parashikuar të përfundojnë deri më 15 janar.

Para 22 vitesh u mbajt referendumi për shpalljen e Maqedonisë shtet i pavarurMegjithatë, punët në terren ende nuk janë askund. VMRO-DPMNE-ja po bën obstruksione për të formuar Komisionin Shtetëror Zgjedhor, i cili do ta organizonte mbajtjen e referendumit. Gjithashtu, partia opozitare proceset reformuese, i kushtëzon me amnisti për pjesëmarrësit në dhunën e 27 prillit, në të cilën ngjarje janë të përfshirë edhe deputetë të partisë. Kjo kërkesë bie ndesh me parimin themelor të qeverisë së udhëhequr nga Zaev, e cila me të ardhur në pushtet u betuan se do të ketë llogaridhënie dhe do të ketë dënim për të gjithë ata që kanë gabuar para ligjit.

Kjo mund të jetë dhe pengesa e radhës e mbajtjes së referendumit për emrin, e cila është element thelbësor i Marrëveshjes me Greqinë, sipas së cilës, qytetarët do të duhet të vendosin nëse për to është i pranueshëm emri Republika e Maqedonisë së Veriut dhe ndryshimet kushtetuese që i parasheh marrëveshja.

Rezultati nga referendumi do të jetë kyç edhe për rrugën euro-atlantike të Maqedonisë, gjegjësisht rezultati pozitiv, do të nënkuptonte – ratifikim të Marrëveshjes në Kuvendin e Greqisë dhe anëtarësim automatik të Maqedonisë në NATO, si dhe hapje të bisedimeve me Bashkimin Evropian në qershor të vitit 2019.