Këto janë masat e reja kundër COVID-19 që hyjnë në fuqi nga sot në Kosovë

Në Kosovë prej sot hyjnë në fuqi masa të reja kufizuese me një vendim të miratuar dje nga Qeveria.

Me masat e reja mësimi në nivelin parauniversitar, përfshirë edhe nivelin parashkollor dhe puna e qëndrimeve ditore do të pezullohet deri më 26 shtator.

Në institucionet publike dhe private të arsimit universitar mësimi nuk do të mbahet me prezencë fizike të studentëve. Ndërkaq, për një sërë ngjarjesh, qytetarët duhet të paraqesin dëshmi për vaksinim apo teste, në mënyrë që të marrin pjesë në to.

Sa i përket familjeve që kanë fëmijë të regjistruar në institucione parashkollore, ku dy prindërit janë të punësuar, njëri nga ta do të lirohet që të paraqitet fizikisht në punë në periudhën 13-26 shtator.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në një konferencë për media më 12 shtator tha masat do të jenë në fuqi nga 13 deri më 26 shtator, por nëse ndryshon situata epidemiologjike, atëherë do të ndryshojnë edhe masat.

“Ditëve të fundit kemi qenë dëshmitarë të përmirësimit të lehtë të situatës epidemiologjike”, tha Vitia, por shtoi se përkundër kësaj, situata vazhdon të jetë e ndjeshme.

Vitia po ashtu bëri të ditur se biblotekat do të lejohen që të punojnë me 30 për qind të kapaciteteve dhe se të gjithë personat që duan të shkojnë në to, duhet të paraqesin dëshminë për vaksinim apo të prezantojnë rezultatet e testeve për COVID-19.

Sipas vendimit, dëshmi për vaksinimin e plotë ose për marrjen e një doze, testi negativ PCR jo më i vjetër se 72 orë, testi antigen jo më të vjetër se 48 orë apo testi i antitrupave jo më i vjetër se 30 ditë do të kërkohen për:

Për çdo person që hyn në territorin e Kosovës

Punëtorët e institucioneve publike

Studentët që duan të regjistrohen në konvikte

Studentët e institucioneve publike dhe private që duan të hyjnë në objektin e institucionit ku studiojnë

Stafi i institucioneve publike dhe private në të gjitha nivelet e arsimit

Punonjësit e kinemave, teatrove dhe qendrave të tjera të kulturës

Shfrytëzuesit e bibliotekave dhe muzeve

Shfrytëzuesit e fitueseve dhe palestrave

Klientët dhe stafi i banjave termale

Shikuesit e garave sportive që organizohen në hapësira të jashtme

Kjo masë pas 27 shtatorit do të vlejë edhe për stafin e qendrave tregtare dhe i qendrave të thirrjeve (call center). Sipas vendimit, një person nga institucionet e lartcekura do të angazhohet që të verifikojë që personat që hyjnë në këto objekte posedojnë dëshmitë e kërkuara.

Në arsyetimin e vendimit thuhet se kërkimi që qytetarët të ofrojnë këto dëshmi “ në asnjë rast” nuk përcaktojnë se “vaksinimi është i detyrueshëm”.

Ofrimi i dëshmisë së vaksinimit dhe dëshmia përmes testit të shpejtë antigen nuk vlen për personat që hyjnë në Kosovë dhe largohen nga aeroporti brenda tri orësh, për transportuesit profesionistë, shtetasit e Kosovës që kanë dalë jashtë Kosovës në 12 orët e fundit, për shtetasit që kalojnë transit përmes Kosovës, me kushtin që të largohen nga shteti brenda pesë orësh, për diplomatët e akredituar në Kosovë dhe për personat nën moshën 16-vjeçare.

Në fuqi do të vazhdojë të mbetet kufizimi i lëvizjes nga ora 22:00 deri në ora 05:00.

Lokalet e gastronomisë do të vazhdojnë të punojnë deri në ora 21:30, por vetëm në ambiente të jashtme dhe duke respektuar distancën ndërmjet tavolina prej 1 metër. Po ashtu qendrat tregtare do të lejohen të punojnë, ndërkaq për lokalet e gastronomisë brenda tyre, vlen parimi i njëjtë – pra puna vetëm në hapësira të hapura.

Ndërkaq, vazhdon të ndalohet veprimtaria e klubeve të natës, organizimi i festivaleve, koncerteve, ekskursioneve, pelegrinazheve, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe shoqërore.

Po ashtu, në funerale lejohen të marrin pjesë vetëm anëtarët e ngushtë të familjes dhe nuk lejohet mbajtja e të pameve.

Mbajtja e maskës do të vazhdojë të jetë në fuqi, ndërkaq institucionet publike do të punojnë vetëm me staf esencial nga zyrat, ndërkaq gratë shtatzëna janë të liruara nga puna.

Grumbullimet

Sipas vendimit, në ambiente të mbyllura lejohet grumbullimi deri në 20 persona, por duke respektuar distancën prej 1.5 metrash. Për ngjarjet kulturore dhe grumbullime të tjera lejohen deri në 50 persona.

Po ashtu, kinematë, qendrat rinore, qendrat e kulturës dhe institucione të ngjashme duhet ta pezullojnë aktivitetin e tyre deri më 26 shtator. Teatrot, orkestrat, baleti dhe asambletë mund të mbajnë vetëm shfaqje online. Ndërkaq, pas 27 shtatorit, këto institucione mund të shfrytëzojnë vetëm 30 për qind të hapësirës së objekteve.

Ndërkaq, muzetë dhe bibliotekat lejohen të shfrytëzojnë vetëm me 30 për qind të kapaciteteve të hapësirave. Sa i përket ngjarjeve sportive, ato në ambiente të mbyllura mund të zhvillohen vetëm me numër të kufizuar, ndërkaq nuk lejohet prania e shikuese. Ngjarjet garuese në ambiente të hapura lejohet të mbahen dhe vetëm 5 për qind e kapacitetit të hapësirave do të lejohet për shikuesit.

Që prej gushtit, Kosova ka regjistruar numra të lartë të infektimeve ditore, por edhe të viktimave. Vetëm gjatë dhjetë ditëve të fundit, në Kosovë janë regjistruar 237 viktima./REL