Këto janë pikat e nxehta të negociatave LVV – LDK

0

Marrëveshja eventuale për koalicionin e ardhshëm qeverisës ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, pritet të përfshijë edhe çështjen e presidentit të ardhshëm të Kosovës, i cili sipas mandatit kushtetues duhet të zgjidhet në pranverën e vitit 2021. Lidhja Demokratike e Kosovës preferon që të gjitha çështjet, nisur nga ndarja e ministrive e deri te posti i presidentit të përfshihen në marrëveshjen e ardhshme ndërmjet liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa. Insistimi i LDK-së që të diskutohet edhe për presidentin e ardhshëm që do të vijë në krye të shtetit në vitin 2021, ndërlidhet me faktin se nëse presidenti nuk zgjidhet, vendi shkon në zgjedhje, andaj LDK-ja nuk preferon një marrëveshje koalicioni që do të zgjaste një vit e gjysmë. Kurse Vetëvendosje, nuk e preferon shumë debatin për presidentin në këtë fazë, por i bën thirrje LDK-së që të mos presë më certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve për t’u marrë vesh rreth ndarjes së ministrive. Përderisa pozita e kryeministrit nuk i është kontestuar liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, krahas postit të presidentit, një pozitë tjetër që shihet si pikë më e vështirë për negociata është ajo e ministrit të Jashtëm të Kosovës. Njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, thonë se pozita e presidentit dhe ministrit të Jashtëm nuk do të duhej të komplikonte bisedimet që si qëllim kanë arritjen e një marrëveshjeje. Politologu Ramush Tahiri thotë për Radion Evropa e Lirë, se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës duhet të arrijnë marrëveshje për qeverisje duke i harmonizuar programet partiake më shumë se sa të orientohen në atë se kush cilën ministri e drejton.
“Unë nuk konsideroj se vendet vetjake do të jenë ndonjë pengesë, sepse secili e ka një synim të caktuar dhe arrin diçka me atë synim edhe në këtë bazë mund të harmonizohen qëndrimet. Presidenti ka mandat edhe një vit e gjysmë dhe unë nuk mendoj që kjo qeveri vetëm pse i ka numrat ose pse synon t’i ketë numrat, do të bëjë ndonjë ‘puç institucional’ dhe do ta largojë presidentin duke fabrikuar arsyet. Ndërsa, sa i takon ministrit të Jashtëm, varet se si ndahen funksionet e tjera. Por, ministri i jashtëm për dallim deri tash duhet të jetë një personalitet me kredibiltet e me përvojë”, vlerëson Tahiri. Synimi i Vetëvendosjes dhe LDK-së është që të krijojnë një qeveri me 12 apo maksimumi 15 ministri. Mbetet të shihet nëse partia që e merr pozitën e kryeministrit, Lëvizja Vetëvendosje, do të marrë edhe pozitën e kryetarit të Kuvendit apo këtë pozitë do t’ia lirojë LDK-së. Për këto tema, bisedimet thuhet do të zhvendosen në nivelin e liderëve të dy partive, kurse tash për tash, sipas Albulena Haxhiut nga Lëvizja Vetëvendosje, çështja e postit të presidentit nuk është kërkuar nga asnjëra palë për diskutim. Ajo thotë, po ashtu, se deri tash nuk ka pasur ndonjë pengesë për asgjë kur është fjala për arritjen e marrëveshjes. Në anën tjetër, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, konsideron se të gjitha çështjet që garantojnë një koalicion qeverisës në mandat plotë duhet të definohen në fillim në mënyrë që, siç thotë ai, më vonë të mos ketë probleme. Në këtë aspekt, Veliu konsideron se duhet të diskutohet edhe për çështjen e presidentit./REL