KFOR’i katërfishon praninë në veri – Rritet edhe numri i patrullimeve rreth kësaj zone

ina-online
ina-online

17/03/2024

KFOR’i ka katërfishuar praninë në veri të Kosovës, dhe ka trefishuar numrin e patrullimeve në këtë zonë. Kështu ka bërë të ditur vetë komandanti i KFOR’it, Ozkan Ulutas.

Pos kësaj, Ulutas ka folur edhe për situatën në këtë pjesë të Kosovës, duke thënë se ai e vlerëson të qetë por ende të brishtë situatën e sigurisë pas tensioneve të vitit të kaluar në veri të Kosovës.

Këto deklarime, ai i ka bërë përmes një intervistë për Zërin e Amerikës, ku ka shtuar edhe se KFOR’i po vazhdon përpjekjet për të parandaluar çdo përshkallëzim ndërsa mbetet i gatshëm t’i përgjigjet çdo sfide që mund të ndodhë.

Ai tha se sulmi i 29 majit mbi trupat e KFOR-it dhe sulmi i dhunshëm i 24 shtatorit në veri ishin të paprovokuara dhe të papranueshme, duke bërë thirrje që autorët e një dhune të tillë të mbahen përgjegjës.

“Në përgjithësi, situata në terren është e qetë, por mbetet e brishtë. Ne jemi duke ndjekur nga afër çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë, duke përfshirë veriun e Kosovës dhe posaçërisht në disa komuna atje, përmes një pranie të dukshme dhe fleksibile, që përfshin patrullime të rregullta dhe angazhim me komunitetet lokale. Pas rritjes së tensioneve vitin e kaluar, NATO-ja ka vendosur qindra trupa shtesë. Ne kemi katërfishuar praninë e KFOR-it në veri të Kosovës dhe kemi trefishuar numrin e patrullimeve, duke përfshirë edhe zonën përgjatë vijës administrative të kufirit. Misioni ynë aktualisht numëron rreth katër mijë e 600 trupa, nga 28 vende kontribuuese, duke përfshirë aleatët dhe partnerët e NATO-s.

Këta janë hapa të kujdesshëm për të siguruar që misioni i KFOR-it të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. Një nga përparësitë tona është të ndërtojmë marrëdhënie dhe të përpiqemi të kuptojmë shqetësimet e banorëve lokalë dhe perceptimin e tyre mbi sigurinë. Ky është çelësi për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe për të kontribuar në qëndrueshmërinë e rajonit. KFOR-i gjithashtu vazhdon të krijojë kornizën e nevojshme të sigurisë që dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të ecë përpara.

Kjo është e vetmja rrugë drejt paqes dhe qëndrueshmërisë afatgjate. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të parandaluar përshkallëzimin dhe jemi të gatshëm t’i përgjigjemi sfidave të mundshme, duke përshtatur praninë tonë sipas nevojës, në përputhje me mandatin tonë. Ne vazhdojmë të veprojmë si reagues i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit – EULEX, me të cilët ne bashkëpunojmë dhe bashkërendohemi në mënyrë të rregullt”, ka thënë mes tjerash ai.

TË FUNDIT

ME TE LEXUARA

LEXO MË SHUMË

morine kufiri shqiperi

Kosova e Shqipëria me marrëveshje të re për kalimin pa kontroll kufitar në Vërmicë

Kurti

Kurti: Një grua u vra mizorisht nga një vrasës burrë, drejtësia të veprojë pa vonesa

Policia-e-Kosoves-800x445

Të shtëna me armë në Ferizaj, vritet një grua

rama macron

Rama-Macronit: Nëse ke nevojë për dikë në momente të vështira, thërrisni një shqiptar

KFOR KS

“Tërmet’ gjeopolitik në Ballkan”, Italia miraton dërgimin e trupave shtesë në Kosovë

policia-kosoves

Hajnat bëjnë kërdi në shtëpinë e mërgimtarit në Gjilan, ia vjedhin çantën me mbi 145 mijë euro që i solli nga Zvicra

dardan molliqaj

Me Memlin e Abdixhikun s’fitohen zgjedhjet

kamiona blinda kosove fsk

FSK-ja pranoi donacion të kamionëve shumë funksional prej Gjermanisë

vlora citaku

Çitaku: Albin Kurti çka ka që përzihet në zgjedhjet në Maqedoni?

INFO

NA NDIQ