Kina heton origjinën e COVID-19, test për 200 mijë mostra të gjakut në Wuhan

Kina po përgatitet të testojë deri në 200.000 mostra të bankave të gjakut nga qyteti Wuhan, si pjesë e një hetimi për origjinën e Covid-19. Mostrat e gjakut do të përfshijnë edhe ato të muajve të fundit të vitit 2019.

Mostrat janë një burim i mundshëm i informacionit kyç që mund të ndihmojë në përcaktimin se kur dhe ku virusi kaloi për herë të parë tek njerëzit, kush u infektua për herë të parë, moshën dhe profesionin e tyre.

Kampionët e gjakut janë ruajtur në Qendrën e Gjakut në Wuhan për 2 vjet, në rast se ato nevojiten si dëshmi në çdo çështje ligjore që lidhet me dhurimet e gjakut.

Ekspertët konfirmojnë se rasti i parë i raportuar ishte në Wuhan më 8 dhjetor, por mund të ketë raste të tjera më të hershme.

Gjithashtu ekspertët sugjerojnë që mostrat e gjakut mund të dërgohen në Gjenevë, ose në një destinacion tjetër neutral, për të lejuar që ekspertët e OBSH të marrin pjesë në testim.

Nga ana tjetër, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka formuar një grup të ri me 26 ekspertë për të përcaktuar origjinën e Covid-19.

Organizata Botërore e Shëndetësisë nënvizon se “puna e një grupi të ri hulumtues mund të jetë mundësia e fundit për të gjetur origjinën e COVID-19”. /euronewsal