Nuk mund të jap mbështetje për disa që janë përpjekur të ma marrin lirinë! Kështu një javë më parë kishte deklaruar deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi, vota e të cilit ishte e rëndësishme për të siguruar jo vetëm shumicën prej dy të tretash, por edhe të ashtuquajturin “Badenteri i madh”.
Por ndryshe nga një javë më parë, sot Fatmir Bytyqi mbështeti shumicën qeveritare, duke i votuar anëtarët e ri të Agjencisë për Media, si dhe Këshillin Programor të Radio Televizionit të Maqedonisë.
Deputeti shqiptar i LSDM-së, Fatmir Bytyqi, sot nuk ka treguar ndonjë arsye pse ndryshoi qëndrim, por për “360 Gradë”, kishte thënë se nuk do të votojë për zgjedhjen e përbërjes së re të Këshillit Programor të RTVM-së.
Më saktë, Bytyqi kishte thënë se, meqë kërkohet shumicë prej dy të tretash dhe i ashtuquajturi “Badenteri i madh” (shumicë nga numri i përgjithshëm i deputetëve të bashkësive joshumicë), ai do të votonte “pro” në votimin e parë për 80 vota, por jo edhe për të arritur “Badenterin e madh”.
“Kur në një moment të caktuar do të duhet ta përdor atë të drejtë, të cilën për vete nuk e kam përdorur, unë e konsideroj të shenjtë, dua të ketë mjaft argumente nga të dyja palët. Me kryetarin Venko Filipçe u ulëm, biseduam, i shpalosa argumentet e mia në atë moment. Nuk mund të jap mbështetje për disa që janë përpjekur të ma marrin lirinë. Të ma marrin lirinë e fjalës, të më bëjnë presione të ndryshme dhe unë sot vetëm të ul kokën dhe të them po, do t’ju votoj, ndërsa për ju kjo është diçka e rëndësishme. Ka anëtarë të propozuar të tillë, por ka edhe që vijnë nga një parti e tillë politike. Në fund të ditës, shikoni, një ministre i kërcënohet një deputeti se do ta padisë, vetëm sepse kam bërë një pyetje. Një nga argumentet është i karakterit vleror, unë mendoj se ata duhet ta dëshmojnë të kundërtën për ta fituar votën time”, kishte thënë Bytyqi i pyetur nëse do të votojë për Agjencinë e Mediave dhe Këshillin Programor në RTVM. Kjo e fundit, që deri sot kishte pesë anëtarë shqiptarë, në Këshillin e ri do të ketë vetëm katër.
Ndryshe, ndryshimi i qëndrimit të Bytyqit ndodhi gjithashtu një javë pasi u paralajmërua padi penale marrëveshjen për terminalin e gazit “Aleksandropulos”, projekt ky që lidh disa shtete, dhe i firmosur në kohën kur Bytyqi ishte zëvendëskryeministër për çështje ekonomike në Qeverinë LSDM-BDI.
“Badenterin e madh” sot e bëri të mundur edhe deputeti i Frontit Evropian, Bejxhan Iljas. “Për” votuan edhe tre deputetët e ASH-Taravari, megjithëse thonë se janë pjesë e opozitës. (koha.mk)
Deklaratën e Bytyqit se do të votojë “kundër” mund fa shihni nga minuti 51: