Kjo është marrëveshja më e rëndësishme që zhdukë kufirin Kosovë-Shqipëri

Arbër Zaimi

Nga marrëveshjet e sotme mes Shqipërisë e Kosovës, dëshiroj të veçoj njërën që për nga emri duket si e parëndësishme: “Marrëveshja për Rregullat e Trafikut Lokal Kufitar”.

Kjo marrëveshje pajis me një dokument të veçantë banorët e zonave deri në 30 km larg kufirit, si në anën e Kosovës, ashtu edhe në atë të Shqipërisë. Dhe u jep atyre mundësinë të qarkullojnë lirisht, pa kontrolle, pa ndalesa, sa herë të duan, në të dyja drejtimet.

Kjo marrëveshje ringjall krahina të tëra, duke bashkuar Malësinë e Gjakovës me Gjakovën, Kukësin me Prizrenin, Hasin e Krumën etj. Rrugët e barinjve e ato të bjeshkëve, udhët tradicionale të tregtisë së fshatarëve e zejtarëve, që lidhin fshatrat mes vete e me qytetet, më në fund do të çlirohen. Familje, farefisni e fqinjësi që janë ndarë arbitrarisht nga një kufi i dhunshëm, do të kenë mundësi sot e tutje t’i rinisin marrëdhëniet e tyre pa kaluar në doganë. Nxënësit do të shkojnë pa telash në shkollën në anën tjetër të kufirit, pacientët në spital, etj.

Kjo duhet konsideruar si një hap i parë dhe i vonuar, në ndihmë të një krahine malore ndër më të varfëruarat ekonomikisht dhe ndër më të braktisurat.