Klopp: “Ëndrra e Coutinhos ishte Barcelona, insistoi shumë që ta bëjë realitet”

0

Klopp ka treguar se Liverpooli ka bërë gjithçka për ta mbajtur brazilianin në “Anfield”, por 25 vjeçari nuk dëshironte të dëgjonte.

Philippe Coutinho tashmë është lojtar i Barcelonës.

Mesfushori Brazilian u bë transferimi më i shtrenjtë në histori të Barcelonës dhe futbollit spanjoll, i dyti më i shtrenjtë në botë, pas Neymar Junior, duke kaluar nga Liverpooli te Barcelona për 160 milionë euro, shkruan Gazeta Express.

Jurgen Klopp ka treguar se asgjë në botë nuk do t’ia ndryshonte mendjen Coutinhos për të qëndruar në Liverpool, ëndrra e brazilianit ishte që ta veshë fanellën e Barcelonës.

U munduan që t’ia ndryshonin mendjen gjatë verës dhe insistuan që të mos e shesin, por Coutinho vazhdimisht kishte këmbëngulur te drejtuesit e klubit që ta lënë ta realizojë ëndrrën.

“Me hezitim, si ekip si klub, i themi lamtumirë një miku të mirë, një personit të mrekullueshëm dhe një lojtarit fantastik, Philippe Coutinho”.

“Nuk është sekret që Philippe e dëshironte këtë transferim që nga korriku, kur Barcelona bëri të ditur interesimin e tyre”, tha Klopp për faqen e Liverpoolit.

“Philippe ishte këmbëngulës me mua, pronarët madje edhe me shokët dhe e dëshironte patjetër këtë transferim”.

“Pavarësisht kësaj, arritëm të mbajmë atë në verë, duke shpresuar se do ta bindim të qëndrojë duke parë atë që po ndërtojmë këtu, por ëndrra e tij ishte Barcelona dhe asgjë nuk do t’ia ndryshonte mendjen”.

“Dua të ju them tifozëve se ne, si klub, kemi bërë gjithçka për ta bindur Coutinhon që të qëndrojë, por ai ishte i vendosur për të ardhmen dhe se i përket Barcelonës. Është ëndrra e tij dhe unë më pas isha i bindur se asgjë nuk do t’ia ndryshojë mendjen”, shtoi Klopp.

“Philippe ka kontribuar shumë për këtë klub për pesë vitet e fundit dhe pavarësisht se jemi të zhgënjyer që nuk donte të vazhdonte, kemi marrëdhënie të mira me të dhe i dëshirojmë gjithë të mirat”, theksoi mes tjerash Klopp.