Koalicionet ndërmjet partive, kush me kë?!

0

Partnerët e koalicionit qeveritar LSDM dhe BDI kanë qëndrime të ndryshme sa i takon koalicionimit të mundshëm parazgjedhor. Për kreun e BDI-së Ali Ahmeti, koalicioni me partinë e Zoran Zaevit nuk do të jetë në shërbim të asnjërës partie duke konsideruar se ata kanë dallime në programe. Sipas tij, koalicione të ngjashme parazgjedhore janë të logjikshme vetëm në nivele lokale ose siç ishte rasti me zgjedhjet presidenciale. “Unë mendoj se nuk do t’i shërbente as LSDM-së dhe as BDI-së një koalicion i till parazgjedhor. Unë nuk mendoj se ne do të jemi ata shpëtimtarët që të hymë në koalicione të tilla për hatër dhe ta shpëtojmë njëri-tjetrin. Kjo nuk do t’i ndihmonte as LSDM-së dhe as BDI-së. Dallime ka akoma në vija programore. Ne akoma kemi dallime programore në vija kombëtare”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së. Ahmeti, në emisionin “Argument” në RTVM2, thotë se është i dëshpëruar dhe i zhgënjyer nga partitë opozitare shqiptare të cilat në të kaluarën nuk kanë pranuar të bëjnë koalicione as me BDI-në por as ndërmjet tyre. Ndërkohë, nga LSDM-ja akoma nuk e kanë të definuar kaq qartë çështjen e koalicionimit. Zëvendëskryetarja Radmilla Shekerinska vlerëson se është herët për konstatime dhe se fokusi duhet të përqëndrohet në atë që është arritur deri tani. “Mendoj se është shumë herët dhe çfarëdo që t’u them do të jetë improvizim. Ne, siç e pamë jemi duke u përgatitur me koalicionin të cilin e drejton LSDM-ja por fokusi në këtë moment është të mos harrojmë pse jemi këtu. Ky lloj i reformave dhe ky lloj i hapave nuk do të lejojmë që të rrezikohen duke e fokusuar debatin se kush më kë do të bëjë koalicion dhe marrëveshje. Këtu jemi për qytetarët”-tha Radmilla Shekerinska, zëvendëskryetare e LSDM-së. Në ciklet e kaluara zgjedhore, LSDM-ja dhe BDI-ja kanë bashkëpunuar në disa raste në zgjedhjet lokale duke mundësuar zgjedhjen e kandidatit të njërës ose partisë tjetër për kryetar komune. I till ishte rasti me Çairin, Tetovën, Kërçovën dhe Strugën ndërkohë që BDI-ja mbështeti kandidaturën e Stevo Pendarovskit dhe zgjedhjen e tij President./Alsat-M