Koci reagon ndaj Buxhovit: UÇK-ja është dashur t’i spastrojë mbeturinat si ti

0

Zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik dhe anëtari i PDK-së, Gani Koci, ka reaguar ndaj shkrimtarit Jusuf Buxhovi që deklaroi mbrëmë se lufta e UÇK-së nuk ka qenë e pastër, raporton Gazeta Express.

Përmes një shkrimi në Facebook, Koci ka shkruar se para se të gjykohet pastërtia e luftës së UÇK-së nga Buxhovi, duhet të përgjigjet për vrasjen e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës e për arrestimin e grupit të Hysen Gegës.

Tutje, zëvendësministri tha se lufta e UÇK-së është dashur të spastrojë të gjitha mbeturinat.

“Para së të gjykonte për pastërtinë e luftës së UÇK-së, Jusuf Buxhovi duhet të përgjigjet për vrasjën e Jusuf e Bardhosh Gërvalles dhe Kadri Zekës, dhe arrestimin e grupit të Hysen Gegës me dëshmitë e të cilit ky grup ishte dënuar me dhjetra vjet! Vërtetë lufta e UÇK-së, është dashur të spastroj të gjitha mbeturinat e sojit të buxhovëve!”, ka shkruar Koci.

Mbrëmë, historiani Jusuf Buxhovi u ftua të flasë rreth disa temave shumë të ndjeshme për opinionin publik. Kryesisht u diskutua rreth vrasjes së 102 anëtarëve të LDK-së pas luftës dhe marrjen e pushtetit nga UÇK-ja pas luftës e cila po konsiderohet se ishte një puç.

Në intervistë e sipër, Buxhovi tha se UÇK-ja nuk ishte e pastër sepse janë vrarë mbi 100 zyrtarë të LDK-së.

“UÇK-ja nuk ka qenë e pastër. Ka qenë e drejtë, por ka pasur shumë gjëra të këqija. Janë vrarë mbi 100 zyrtarë të LDK-së”, ka thënë Buxhovi në Rubikon.

Shkrimtari Buxhovi, gjithashtu, ka komentuar edhe ndërkombëtarët dhe Rezolutën 1244.

“Në Kosovë ka ndodhur një fenomen shumë interesant sepse faktori ndërkombëtar është kujdesë që Rezoluta 1244 të sjellë një infrastrukturë demokratike në një shtet të lirë, ku çlirimi të kthehet në liri dhe çlirimi të kapet nga çlirimtarët dhe për këtë fajin më të madh e ka faktori ndërkombëtar”, ka shtuar Buxhovi