Këtë vit e shpallëm vitin e Drejtshkrimit të gjuhës shqipe, me ngjarje
e aktivitete që do të organizohen në qendrat tona albanologjike, si
shprehje e vullnetit dhe aspiratës për një integrim më të madh
brendakombëtar. Kjo është një frymë të cilën ITSHKSH fuqishëm po e
promovon, duke dëshmuar përcaktimin e qartë për një kurs civilizues
tërësisht evropianizues
Shkruan prof.dr Skender ASANI
Gjuha e një kombi është dimensioni më koheziv, si në planin
kulturor, ashtu edhe në atë politik. Jo rrallë gjuhës i atribuohen
edhe epitete figurative për të dëshmuar fuqinë e saj. “Gjuha si armë”,
“gjuha e diplomacisë”, “gjuha e forcës”, “gjuha e trupit “, të
gjitha këto janë sintagma që shprehin magjinë e padukshme të gjuhës.
Magjinë e asaj që nuk e shohim, por e ndjejmë, që nuk e prekim, por e
përjetojmë.
Nëse e vështrojmë në planin socio-lunguistik e etno-psikologjik, gjuha
është palca që identifikon tërësinë përbashkuese të vlerave identitare
të një kombi. Kështu ka ndodhur edhe me kombin shqiptar. Zhvillimi
socio-kulturor në etapa të ndryshme historike, i ka dhënë mundësi
kombit shqiptar të mbijetojë pikërisht në bazë të gjuhës si një mjet i
fuqishëm i përcaktimit identitar.
Një gjuhë quhet e zhvilluar vetëm atëherë kur ajo dëshmon lashtësinë e
shkrimit dhe sensin e përsosjes në trajtat e ndryshme të komunikimit.
Gjuha shqipe konsiderohet si një ndër gjuhët më të vjetra, por me një
histori më të vonshme shkrimi. Kjo ka ndikuar që në bërthamën e
formimit të gjuhës shqipe të ngjizen edhe trajtat e përafërta të
gjuhëve fqinje të cilat kishin një traditë më të pasur shkrimi. Por,
gjuha shqipe sërish ngeli një pasuri kolosale e kombit shqiptar dhe
forca më argumentuese e ekzistimit të këtij kombi. Historikisht, lufta
për gjuhën shqipe është zhvilluar nga atdhetarët e devotshëm, të cilët
vetëdijen e tyre kombëtare e kishin ngushtë të lidhur me vetëdijen
gjuhësore. Kjo luftë i parapriu të gjitha luftërave të tjera, siç
ndodhi, bie fjala, edhe me Kongresin e Manastirit (1908), i cili ishte
një ngjarje e madhe e kombit tonë që erdhi në prag të Pavarësisë (1912).
Shkalla e vetëdijesimit të elitave që udhëhoqën kombin tonë në fund të
shekullit 19 dhe në fillim të shekullit 20, u dëshmua me angazhimin e
tyre për të unifikuar kombin përmes shkrimit të përbashkët. Dhe kjo
nuk mund të arrihej pa një alfabet të përbashkët, i cili ishte edhe
lajtmotivi i Kongresit të Manastirit, ku akujt e diferencave
krahinore, fetare, ideologjike u shkrinë nga rrezet e fuqishme të
shkronjave shqipe me alfabet latin. Në fakt ky nuk ishte një Kongres i
thjeshtë që bashkonte mekanikisht alfabetet, por përtej kësaj, ai
ishte edhe një mekanizëm që po shndërrohej në algoritëm për zhvillimin
e gjithmbarshëm të kombit tonë. Kjo u dëshmua sidomos me shtrirjen e
ndikimit të tij në planin e zgjimit kombëtar, përmes hapjes së
shkollave, gazetave e institucioneve që dimensionin shkrimor të
shqipes e kishin si një palcë që mbante vitalitetin e kombit.
Ashtu siç është dialektike zhvillimi i shoqërisë, e tillë është edhe
dialektika e zhvillimit të gjuhës. Shqiptarët me kalimin e viteve e
dekadave po e ndjenin pamjaftueshmërinë e përfshirjes së koloritit të
tyre gjuhësor në një tërësi unike, prandaj u mendua që të gjendet një
formë e kanalizimit të trajtave e ngjyrimeve dialektore në një sistem
unifikues, siç ishte Kongresi Drejtshkrimit të gjuhës shqipe, i
organizuar në vitin 1972 në Tiranë.
Me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga të gjitha trevat shqipfolëse dhe
me kontributin e tyre në arritjen e një pajtimi gjuhësor-
gjithëkombëtar, Kongresi i Drejtshkrimit ishte ngjarja me madhore që
po hidhte themelet e një integrimi të brendshëm të kombit tonë. Kjo
ndikoi pastaj që edhe kujdesi i shtetit shqiptar ndaj trevave të
jashtme shqipfolëse të bëhet kategori kushtuese, një nxitje kjo që
burimin e kishte pikërisht në Kongresin e drejtshkrimit të gjuhës
shqipe.
Bashkimi gjuhësor i një kombi nuk është veprim mekanik, por është
përcaktim kulturor e civilizues. Kjo ndodhi edhe me Kongresin e
Manastirit dhe me Kongresin e drejtshkrimit, dy gurë të çmueshëm në
mozaikun e gjerë të vetëdijesimit kombëtar të shqiptarëve.
Duke u nisur nga rëndësia që kishte Kongresi i Drejtshkrimit (1972) ne
si Institut në koordinim me Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe
me Qendrën e Studimeve Albanologjike në Tiranë, këtë vit e shpallëm
vitin e Kongresit të Drejtshkrimit, me ngjarje e aktivitete që do të
organizohen në qendrat tona albanologjike, si shprehje e vullnetit dhe
aspiratës për një integrim më të madh brendakombëtar. Kjo është një
frymë të cilën ITSHKSH fuqishëm po e promovon, duke dëshmuar
përcaktimin e qartë për një kurs civilizues tërësisht evropianizues.
Mbase ky përcaktim i ynë mund të shkaktojë pagjumësinë e dikujt që bën
plane për t’ia ndryshuar këtë kurs Institutit tonë, por ato do të jenë
përpjekje të kota dhe tepër dëshpëruese, ashtu siç u treguan të kota
edhe disa tentime për të na gjunjëzuar përmes bllokadave buxhetore,
ose duke na dislokuar nga këtu, sepse vetëm në këtë mënyrë do të
eliminohej fuqia e simbolikës së këtij objekti dhe e frymës që mbart
puna disa vjeçare e Institutit tonë.
Por ITSHKSH tash më e ka ADN-në e vet dhe ashtu siç është e vështirë
të ndryshohet kodi gjenetik i njeriut, po aq e vështirë është edhe
ndryshimi i kodit civilizues e kulturor të Institutit tonë.
Shkup, 7 mars 2022