shkruan Jehona Nasufi-Musliu
Prej vitesh, Kodra e Diellit është përmendur në fushata, tubime dhe intervista, por gjithmonë ka mbetur vetëm në fjalë. Ndërkohë, qyteti zbrazet, të rinjtë largohen, dhe bizneset mbijetojnë si të munden. Nëse ka një vend që mund t’i japë Tetovës një arsye të re për të jetuar, ai është pikërisht ky mal mbi qytet.
Një pistë nuk mjafton – duhet plan
Njerëzit mendojnë se Kodra e Diellit është vetëm për ski. Në fakt, ajo mund të kthehet në një qendër të gjallë turizmi gjatë gjithë vitit. Një pistë e mirë skijimi sjell pushues. Pushuesit blejnë në dyqane, hanë në restorante, paguajnë taksi, flejnë në hotele dhe lënë para në çdo cep të qytetit.
Pse mos të ndodhë edhe këtu? Pse Tetova të mos jetë Bansko i radhës?
Shihni Bansko, Brezovicën, Uludağun
Bansko ka qenë një fshat i varfër bullgar. Sot është resorti më i njohur i Evropës Lindore. Një shembull i pastër si një mal mund të mbajë një qytet të tërë me punë.
Brezovica, me gjithë problemet që ka pasur, vazhdon të mbushë shtëpitë e Sharrit me turistë dhe punë për vendasit.
Uludağ, në Turqi, dikur një destinacion i thjeshtë, sot ka hotele moderne, aktivitete të llojllojshme dhe gjeneron miliona euro për ekonominë lokale.
Kodra e Diellit nuk ka asgjë më pak se këto tre. Ka natyrë të paprekur, mal të lartë, pozitë pranë qytetit dhe mbi të gjitha – një mërgatë që mund të sjellë frymë të re, nëse ka për çka të vijë.
Monopoli i ELEM – si mund të thyhet pa premtime boshe
Gjithë këto vite, ELEM ka pasur dorë të vetme mbi këtë pasuri. Rezultati dihet: zero investime serioze, zero konkurrencë, zero zhvillim real. Çfarë e thyen një monopol? Ekonomia, jo vetëm politika.
Nëse hapet dera për investitorë privatë – të huaj apo vendas – për të ndërtuar shtigje të reja, hotele e aktivitete, monopoli bie vetë. Askush nuk do të paguajë për pistë të prishur nëse ka alternativë më të mirë. Dhe më shumë zgjedhje do të thotë më shumë turistë e më shumë para që mbeten në qytet.
Çfarë i takon Komunës
Është e qartë që komunat këtu nuk kanë shumë liri buxhetore, por kanë një gjë në dorë: të mos pengojnë. Le të mos e ngatërrojnë investitorin me letra të panevojshme. Të nxjerrin plane të qarta urbanistike, të shpejtojnë lejet dhe të garantojnë rregull në truall.
Askush nuk kërkon mrekulli, vetëm mundësi që ky vend të punojë për njerëzit e vet.
Mërgata, turizmi dhe qyteti bosh
Askush nuk e fsheh: Tetova po boshatiset. Fshatra e lagje të tëra mbesin pa të rinj. Një qendër turizmi që funksionon mirë nuk është zgjidhje magjike, por është një arsye më shumë për të mos ikur. Është një motiv që mërgata të qëndrojë disa ditë më tepër, të blejë, të investojë, të sjellë miq.
Në fund të ditës, nuk kemi nevojë për premtime të reja, por për një plan të qartë dhe guxim për ta zbatuar.
A do të vazhdojmë ta lemë Kodrën të heshtë? Apo do ta kthejmë në zemrën e gjallë të Tetovës?
*Autorja është doktorante e shkencave ekonomike në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup