Koeman: Nuk duhet të mbështetemi vetëm te Messi

Barcelona do të takohet dy herë brenda disa ditëve me Sevillan. Të shtunën do të luajë në La Liga dhe të mërkurën, në ndeshjen kthyese të Kupës së Mbretit në gjysmëfinale.

Dy javë më parë, Barcelona u mposht nga Sevilla 2:0 në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Mbretit.

Trajneri i skuadrës, Ronald Koeman, shpreson që të besuarit e tij t’i fitojnë të dyja duelet, dhe më pas ta ketë rastin të luajë edhe në finale të Kupës së Mbretit.

Të premten, Koeman u bëri thirrje gjithë futbollistëve që të shënojnë më shumë gola, dhe të mbështeten më pak te Lionel Messi.

“Leo Messi ka shënuar 17 apo 18 gola në La Liga këtë sezon, pak a shumë numri i njëjtë i golave i shënuar nga sulmuesit tjerë së bashku. Neve na duhet ndihmë nga i gjithë ekipi”, ka thënë Koeman.

Barcelona është e treta në renditje, dy pikë prapa Real Madridit dhe pesë pikë prapa liderit të ligës, Atletico Madridi.

Sevilla është në vendin e katërt, dy pikë prapa Barcelonës, por me një ndeshje më pak të zhvilluar.