Tre ministrat e jashtëm të Austrisë, Çekisë dhe Sllovakisë sot në Shkup përcollën mesazhin e qartë për nevojën e ndryshimeve kushtetuese.
Ata paralajmëruan se tani është koha për të marrë vendimin ose vendi do të shkoj drejt izolimit. Mesazhin e tyre e bëri të qartë edhe ministri i jashtëm, Bujar Osmani, në cilësinë e nikoqirit, përcjell INA.
“Ose do t’i miratojmë amendamentet dhe do t’i fillojmë negociatat, ose do të themi se nuk ka interes për BE dhe do të heqim dorë”, u tha Osmani tre shefave të diplomacisë, duke njoftuar votimin para kamerave.
Treshja diplomatike nga Brukseli erdhi sot në Shkup për të inkurajuar qytetarët dhe deputetët për ndryshimet në Kushtetutë, duke treguar se Maqedonia është e rëndësishme për BE-në.
Ministrat Alexander Shallenberg, Jan Lipavski dhe Miroslav Vlahovski në agjendën e tyre kanë takimet me liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, me presidentin Stevo Pendarovski dhe me deputetë të partive në pushtet, për ti përcjellë mesazhet e kreut evropian të diplomacisë, Josep Borrell.
Vizita e tyre do të pasohet së shpejti me qëndrimin e tre ministrave të tjerë për Evropën nga Gjermania, Franca dhe Polonia.
“Ju jeni një nga partnerët tanë më të besueshëm jashtë BE-së. Ne jemi tre mbështetësit më besnikë të Maqedonisë së Veriut. Ne jemi këtu për të dhënë një mesazh nga Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Borell. Ne duam t’ju dërgojmë një mesazh inkurajimi. Nuk ka kohë për të humbur. Vonesa e miratimit të amendamenteve kushtetuese do të thotë vonesë e pranimit të vendit tuaj në BE. Do të ishte turp pasi të keni bërë një rrugë kaq të gjatë”, theksoi ministri i jashtëm austriak, Schallenberg, duke u thënë qytetarëve se nuk duhet të lënë kot të gjitha këto përpjekje të 18 viteve të fundit.
Sipas tij, nëse nuk vazhdoni në rrugën evropiane, Maqedonia e Veriut do të mbetet e izoluar.
“Ne nuk ndërhyjmë në punët tuaja të brendshme, zgjidhja duhet të vijë nga Shkupi, jo nga Brukseli, Parisi dhe ju siguroj, as nga Sofja. Tani është koha për të menduar në mënyrë strategjike dhe ky mesazh i imi është për ju, por edhe për Bullgarinë: kapërceni çështjet dypalëshe dhe filloni të mendoni strategjikisht! Praga, Brukseli dhe Vjena do të vazhdojnë të qëndrojnë pas jush dhe t’ju mbështesin, dhe Maqedonia e Veriut do të mbetet shembull i ndritshëm”, tha Schallenberg, i cili konsiderohet ministër me gjuhë të mprehtë dhe të drejtpërdrejtë.
Ministri çek Jan Lipavski tha gjithashtu se ata kanë ardhur për të shprehur mbështetjen dhe inkurajimin e të gjithë aktorëve politikë që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të hyrë në BE.
“NATO garanton sigurinë, BE-ja garanton prosperitet”, tha ai, duke shtuar se Maqedonia tashmë konsiderohet pjesë e familjes evropiane dhe neve na takon ta përfundojmë procesin dhe të përmirësojmë performancën.
Shefi i diplomacisë sllovake Miroslav Vlahovski shtoi se ata erdhën për të na ndihmuar të ndërtojmë një konsensus kombëtar për qëllimin më të rëndësishëm strategjik të vendit.
Ministri i jashtëm, Bujar Osmani Ai theksoi se do të bëhet një gabim historik nëse procesi do të zvarritet, duke bërë të ditur se në ditët në vijim ndryshimet kushtetuese do t’i paraqiten Qeverisë dhe më pas do t’i kalojnë Kuvendit, ku deputetët do të përballen me një zgjedhje: ti hapet dera integrimit evropian ose vendi do të mbetet i varrosur në justifikime që së shpejti askush nuk do t’i kujtojë.(INA)