Koha për bashkim apo vetëshkatërrim, ky popull ka Zot!

0

Nga Nazim Halimi

Ditëve të fundit po përcjell situatën se çka po ndodhë me popullin tim dhe partitë që përfaqësojnë.

Po thuhet e shkruhet se për herë të parë shqiptarët në historinë e tyre të demokracisë fituan 32 deputetë, por fatkeqësisht realiteti është ndryshe. Sepse ata janë të ndarë e përçarë deri në pikën e fundit.

Secili po fërkon duart e po pret tek dera e partive maqedonase, për të hy në pushtet, e për të mos mbajt përgjegjësi edhe llogari para popullit, që ia dha besimin me votë me 15 korrik.

Sot kjo fuqi e partive tona sërish si duket do të mbetet bosh, pa shfrytëzuar dhe kushtëzuar asgjë nga çështja shqiptare në Maqedoni, që ende nuk është mbyllur, dhe se të drejtat e shqiptarëve janë vetëm një fasadë dhe kozmetikë, sa për sy e faqe, për të mashtruar popullin, por edhe aleatët tanë.

Përkundër thirrjeve që të bëhen bashkë, o sot o kurrë, shohim se krerët e partive shqiptare nuk e kanë ndërmend ta bëjnë këtë. Ato nga inatet dhe interesat klanore e personale, duan tia nxjerrin sytë njëri tjetrit, duke shkuar në përqafim të partive maqedone.

Jemi një popull që të vërtetës dhe të mirës ja mbyllim derën dhe kështu vetvetiu e shtyjnë veten në robëri. Kështu duam apo s’duam dalngadal adoptohemi me këtë gjendje të vetëdëmtimit, ashtu siç kemi vuajtur dhe përjetu me dekada e shekuj, e armiku e arrin qëllimin e tij.

Në këto zgjedhje nuk u arrit ndryshimi, dhe një pjesë e atyre që konsiderohen si robër të partive në pushtet, e ndihmuan këtë situatë, falë frikës, punësimit apo edhe shkaqeve të tjera siç është shitja e votës.

Ne duhet të mësohemi sikur popujt e zhvilluar që të votojmë ndryshimin, sepse përndryshe demokracia s’ka kuptim. Të bëhemi sikur gjermanët, francezët dhe amerikanët, të votojmë për at që është pak më i mirë dhe që siguron një të ardhme ndryshe.

Partitë tona si gjithmonë kanë fjalë boshe dhe premtime patriotike, që pas votimeve, i merrë era dhe harrohen.

Kështu kanë vepruar me vite partitë e deritanishme BDI dhe PDSH ndaj popullit, duke mos bërë as edhe një ankesë në Bruksel e Uashington për gjendjen e rënduar të shqiptarëve dhe të drejtat e tyre ende të nëpërkëmbura. Ato janë shpata me dy teha për këtë popull të përvuajtur, që si rrugëdalje e sheh braktisjen e vatrave të tyre.

Këto veprime na mbyllnin dyert edhe neve aktivistëve dhe lobistëve, që pa rreshtur dhe pa ndalur kemi lobuar për barazi për shqiptarët në Maqedoni, për realizimin e të drejtave të tyre që sot e kësaj dite janë vetëm një farsë dhe mashtrim, që përdoren nga pushtetet për të bërë politikë, ndërsa në praktikë asgjë nuk funksionon, si me ligjin për gjuhët, ashtu edhe me ligje e projektet zhvillimore nëpër vendbanimet shqiptare.

Edhe shumë anëtarë të këtyre partive tona në biseda private pranojnë se korrupsioni dhe kapja e përfaqësuesve shqiptarë si deputetë, ministra e funksionarë, ka bërë që të heshten dhe ti mbulojë pluhuri shumë kërkesa shqiptare.

Partitë politike të vënë gishtin në kokë dhe të mendojnë për interesin kombëtar, sepse ky popull dhe kjo tokë ka zot.

*Autori është veprimtar dhe anëtar i Ligës Qytetare Shqiptaro – Amerikane të udhëhequr nga Joe DioGuardi

Dikur ne Kongresin Amerikan ne mision lobimi