Kolonizimi i vendbanimeve shqiptare Kumanovë-Shkup

0

Ridvan Ismaili/INA
Menjëherë pas përfundimit të LPB-së (Luftës së Parë Botërore) në vitin 1919, në Maqedoni filloi periudha e spastrimit dhe kolonizimi i vendbanimeve shqiptare e cila në fillim, për shkak të afërsisë së shtetit nga i cili vinin kolonistët e parë, përfshiu pjesën veriore të vendit (Shkup e Kumanovë), për tu shpërnda më pastaj si kancer në pjesë tjera të vendit.
Për zbatimin e kolonizimit dhe reformës agrare, regjimi i mbretit Aleksandër kishte përpiluar programin special për pastrimin e territoreve etnike shqiptare. Duke u bazuar në atë pogram, ushtria serbe dhe xhandarmëria kanë bërë krime të papara mbi popullsinë vendase shqiptare.
Kolonizimi i këtyre trevave nga kolonist serb është zhvilluar në 3 etapa, edhe atë:
1. Prej 1919 deri 1923;
2. Prej 1924 deri 1928 dhe
3. Prej 1929 deri më 6 prill 1941 (ku me sulmin e Gjermanisë ndaj mbretërisë jugosllave u ndal hovi i aktiviteteve kolonizuese)
Vetëm vitin e parë të këtij procesi kolonizues (1919), në Kumanovë me rrethinë ishin vendosur 360 familje kolonialiste serbo-malazeze.
Ndërsa, gjatë periudhës mes viteve 1919-1923 në këto treva u vendosën edhe 525 familje serbe, në valën e dytë prej vitit 1924-1928 u vendosën 194 familje, ndërsa për periudhën e tretë, deri para LDB nuk kemi të dhëna.
Janë gjithsej 13 vendbanime të rajonit të Kumanovës të përfshira në valën e kolonizimit, ja disa prej tyre:
Tabanoci- Gjendet në veri të vendit dhe është në distancë të njejtë me qytetin e Kumanovës në jug dhe me Preshevën në veri. Pas vitit 1912 fshati ishte etnikisht i përzier. Ndërsa, në vitin 1972 përmenden tre mahallë e Tabanocit ku kishte afro 64 amvisëri. Gjurmët e hershme shqiptare në Tabanocë i kemi sot e kësaj dite, si për nga objekti fetar (xhaminë) ashtu edhe për varrezat qindvjeçare.
Kosturniku – Vendanim i cili nga viti 2015 llogaritet si fshat në vete. Kolonialistët, për fat të mirë, në Kosturnik qëndruan vetëm deri në vitin 1960 (8 amvisëri). Sot ky fshat është etnikisht i pastër shqiptarë.
Kojnare e poshtme- Gjendet 3km në afërsi të qytetit të Kumanovës. Pas vitit 1912, në Kojnare të poshtme kishte 20 familje shqiptare dhe 5 sllave. Ndërsa nga 1912 e deri në përfundim të LPB (Luftës së Parë Botërore) e gjithë popullata ishte shpërngulur. Ndërsa, gjatë vitit 1924 e njejta u popullua me kolonist serb të rrethit të Pirotit, por kishte edhe ardhacak nga brendia e vendit, konkretisht nga Kriva Palanka.
Reçica- Kufizohet me fshatrat, shumica shqiptare, Kojnare e poshtme, Kosturnik, Rexhanoc, Opajë dhe Vaksincë. Si fshat kolonialist, Reçica është themeluar në vitin 1922. Brenda vitit të parë, në fshat u vendosen 27 familje serbe, i cili numër rritej me kalimin e viteve. Shumica e ardhacakave ishin të ardhur nga Smedereva, Zajeçari, Piroti, Sremi, Mali i zi etj. Vlen të theksohet se gjitha tokat e këtij fshati deri vitin 1921 ishin në pronësi të shqiptarëve autokton.
Lubodragi- Gjendet rrugës së vjetër Kumanovë-Shkup. Kufizohet me fshatrat Llopat, Çerkez dhe Novo sellë. Është populluar nga kolonist serb gjatë vitit 1921 me ndihmën e pushtetit shtetëror. Deri vitin 1925 në këtë vendbanim u vendosën afro 50 shtëpi. Shumica prej tyre kanë ardhur nga Banati dhe Sremi.
Umin Dolli- Edhe shtëpitë e këtij fshati janë përreth rugës së vjetër Kumanove-Shkup. Ky fshat kufizohet me Novosellën, Lubodragin, Ropalcën, Nakushtakun. Nga 1921 deri 1925 këtu u vendosën 35 familje serbe. Banorët tjerë serb kanë ardhur pas vitit 1925 (30 shtëpi). Edhe gjatë luftës së dytë botërore u vendosen edhe 16 familje si dhe në periudhën e pasluftës edhe 48 familje tjera. Shumica e tyre janë të ardhur nga fshatrat malor nga rrethi i Trgovishtës së Serbisë. Atyre ju dha edhe tokë bujqësore nga prona e shqiptarëve të fshatrave përreth.
Novosella- Gjendet rrugës së vjetër Kumanovë-Shkup, apo mes dy fshatrave kolonialiste, Umin Doll dhe Lubidrag. Është vendosur në vendbanimin e njejtë që deri në atë kohë i njohur si venbanimi pomakë. Ky vendbanim deri në vitin 1912 numëronte 40 banorë, të gjithë të besimit islam. Ardhacakët e parë serb në këtë truall janë vendosur gjatë vitit 1921, si dhe gjatë 10 viteve të ardhshëm realizuan vendosjen e tyre. Atyre iu nda tokë bujqësore nga prona e banorëve autokton si dhe ndihmë tjetër me reformën famkeqe agrare të asaj kohe, ndërsa shumica e banorëve autokton u shpërngulën për Turqi.
Në mes të fshatit ekzistonte edhe xhamia e fshatit, në vendin e së cilës tash gjendet kopshti dhe çezma e Novica Cvetkoviqit. Ndërsa, rreth rrugës kryesore gjenden varrezat muslimane të fshatit, që sot njihet si “varrezat turke”. Shumica e ardhacakëve serb janë nga zonat e Pirotit dhe Pçinjës së Epërme të Serbisë, ku të parët ndërtuan 29 shtëpi, ndërsa të dytët 36 shtëpi, e gjithë kjo e ndihmuar nga pushteti i asaj kohe. Sa i përket numrit të përgjithshëm të kolonialistëve serb në territorin e Maqedonisë, nga 1919 e deri para fillimit të LDB në vitin 1940, ky numër sillet afro 40.000 kolonialistë serb. (INA)