Komandant Malisheva: Ja cili ishte qëllimi jonë më 9 maj

0

Muhamet Krasniqi, pjesëtar i Grupit të Kumanovës, i dënuar me burgim të përjetshëm në Maqedoni, ka folur me telefon ekskluzivisht nga burgu i Shutkës, për “Interaktiv” të KTV-së.
I njohuri si Komandant Malisheva, ka folur për kushtet në të cilat po qëndrojnë shqiptarët atje. Ka folur për tortura psikologjike.
Përtej kësaj, ai ka bërë një kronologji pë të gjithë ngjarjen e 9 majit të 2015-s, ku thotë se kishin rënë në kurth.
Ai thotë se ishin nisur me idealin e bashkimit kombëtar, e nuk pranon kurrsesi që trojet shqiptare në Maqedoni i përkasin kësaj të fundit.
Flet për bisedat me Ali Ahmetin në momentet e aksionit. Ka thënë se ai ka qenë në dijeni për gjithçka.
Kur është pyetur se çfarë kanë dashur nga aksioni, ai ka thënë se “minimumi federalizmin e Maqedonisë, maksimumi ndarja e pjesës shqiptare dhe bashkimin e saj me Shqipërinë”.
Ka thënë se për grupin, që ai e quan bërthama e riorganizimit të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, kanë qenë në dijeni shumë politikanë e deputetë të të gjitha partive në Kosovë. Por edhe politikanë nga Shqipëria e Maqedonia.
Nuk beson se Ramush Haradinaj dinte diçka për aksionin, por e ka motivuar tejmase gjatë qëndrimit të tij në burg, përkrahja institucionale që kryeministri ka bërë për familjet e grupit.
Interaktiv: Ju jeni në mesin e të duarve me burgim të përjetshëm apo jo? Keni 3 vjet që jeni atje. Cila është gjendja juaj dhe të burgosurve tjerë që janë atje?
Krasniqi: Gjendja faktikisht është e mjerueshme pasi që kemi filluar edhe grevën e urisë. Arsyet për këtë gjendje të mjerueshme janë të shumta. Edhe kushtet shëndetësore janë të tmerrshme. Kushte të tilla nuk mund të gjesh as në ndonjë vend më të varfër të botës. Kushtet në përgjithësi janë ashtu, por trajtimi për ne është më i veçantë, duke përdorur metoda të ndryshme të torturës psikike, meqë tortura fizike nuk ka më. Ta kthejnë ushqimin, e shkurtojnë vizitën, përdorin lloj lloj metodash. Banjon e kemi vetëm një herë në javë në dispozicion për t’u pastruar. Nuk na lejojnë gjërat që ua lejojnë të tjerëve. Këtu në Shutkë të burgosurit e tjerë nuk i lejojnë që të na flasin. Ata që na flasin, izolohen e persekutohen. Kushdo prej shqiptarëve që na flet neve, ata ose largohen nga ky burg ose do të mbyllen në vetmi, vetëm e vetëm pse na kanë përshëndetë.
Në fillim, sidomos derisa kanë përfunduar seancat gjyqësore, ka pasur dhunë të tmerrshme fizike. Çdo herë rrugës për në seanca të gjyqit dhe gjatë kthimit jemi rrahur me kondakë të pushkës, me sharje, me shqelma, me lloj lloj metoda. Vetëm diku 8 muajt e fundit të seancave gjyqësore, në kohën kur një shqiptar e mori Ministrinë e Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu, e ndaloi torturën. A për 1 e gjysmë kemi pasur tortura të tmerrshme.
Interaktiv: A keni vizita nga Kosova?
Krasniqi: Kemi vizita të rregullta nga familjarët që na vijnë. Edhe këtu është një padrejtësi e madhe, se përveç familjarëve nuk lejojnë as kushëri, as hallë, as teze, askënd tjetër të afërm tjetër jashtë rrethit të ngushtë familjar. Të tjerëve këtë ua lejojnë. Po e marrë si shembull, i kemi këta që janë dënuar për terrorizëm në rastin e 27 prillit (2017, dhuna në Kuvendin e Maqedonisë v.j.), një pjesë të tyre i kanë dënuar dhe i kanë sjellë menjëherë këtu në burgun e Shutkës ata trajtohen shumë mirë. I kanë të gjitha kushtet, u lejohet kushdo të ju vijë në vizitë dhe rrinë me të tjerë të burgosur, e jo sikur ne që jemi në një tretman të veçantë, të izoluar, as nuk kemi kontakt me askënd, të gjithë gardianët që mbikëqyrin këtë pavijon janë maqedonas, edhe pse kemi kërkuar që të na vjen të paktën një shqiptar, nuk e kanë pranuar këtë kërkesë tonë.
Interaktiv: Së fundi keni pasur edhe grevë urie…
Krasniqi: Po, dhe arsyet janë të shumta. Faktikisht ne jemi akuzuar nga Qeveria e kaluar, e Gruevskit, dhe jemi dënuar po nga gjykatësit të cilët ai i ka vendosur nëpër Gjykata. Asnjë ndryshim nuk ka ndodhur, edhe pse gjykatësja që neve na ka dënuar është ulur në grada, nga Gjykata Penale e kanë dërguar në Gjykatën për Kundërvajtje, asnjë ndryshim nuk ka. Edhe pse ka ndryshu politika e qeveria këtu, tretmani është tmerrësisht i keq, mjekim nuk kemi, as kushtet që i kanë të tjerët. Ne kemi hyrë në grevë sepse duam drejtësi, duam hetim ndërkombëtar, duam që të na hetojë një gjykatë ndërkombëtare, sepse e dimë që jemi të pafajshëm, jemi vënë në një kurth. Ne si ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, që e kemi dhënë kontributin edhe në vitin 2001, kemi qenë pjesë e asaj që herdokurë që keqtrajtohen shqiptarët, shtypen shqiptarët, vriten shqiptarët, sikurse ndodhën shumë raste të montuara, shumë vrasje të bashkëluftëtarëve tanë, edhe njëherë vendosën shokët që duhet ndërmarrë iniciativë që duhet të dalim në mbrojtje të popullit, në pikërisht në kohën kur ‘bombat e Zaevit’ (përgjimet që skandalizuam qeverinë Gruevski v.j.), mu në atë kohë ne bënim përgatitje që në rast të eskalimit të ndonjë situate, ta mbrojmë popullin. Me rastin e marrjes në kontroll të Stacionit Policor dhe armatimit ne ia bëmë me dije këtij shteti që mos të tentojnë ta dëmtojnë këtë popull, se ne jemi gjallë, jemi Ushtria Çlirimtare Kombëtare, e aktivizuar. E, si ndodhën ngjarjet tjera, e kush na vuri në atë kullë në qytet, atë le ta bartë përgjegjësinë ata që qëndrojnë në prapavijë…
Interaktiv: Z. Krasniqi, pse keni shkuar prej Kosovën në Kumanovë, askush këtu nuk po mundet ta kuptojë. Po thoni që është shtypur populli shqiptar, ngjarja ka ndodhur në vitin 2015, nuk ka qenë asgjë duke ndodhur e madhe, s’ka pasur kurrfarë aksioni të shtetit të Maqedonisë. Për çfarë arsye keni shkuar, kush ju ka dërguar të armatosur në Kumanovë dhe cili ka qenë qëllimi?
Krasniqi: Kulmi i asaj që na bëri për të ardhur këtu ishte rasti i monutar i Komunovës, që rezultoi me gjashtë shqiptarë të dënuar me burgim të përjetshëm. Me atë rast, u pa qartë se ky shtet nuk merr vesh ndryshe përveç gjuhën e pushkës. Pse? Në vitin 2001, me Marrëveshjen e Ohrit, e garantuar edhe nga ndërkombëtarët, mirëpo edhe ndërkombëtarët nuk bënë asgjë për ta implementuar atë marrëveshje. Çka ndodhi prej asaj kohe? Marrëveshja u hodh në një qoshe, dhe nuk deshi askush të dëgjojë për të drejtat e shqiptarëve që ishin fituar me gjak, e që i humbën në tavolinë. Ndoshta dikujt i duket që kemi bërë gabim, por ne e quajmë vetën vetëm shqiptarë, as kosovarë, as shqiptarë i një krahine, por shqiptarë që jemi betuar njëherë e përgjithmonë se do t’i dalim Zot çdo pjese shqiptare kudo që jetojnë ata. Jo vetëm në Maqeodni, por edhe në Çamëri, edhe Mal të Zi, dhe kudo që do të shtypeshin shqiptarët ne do të ishim aty.
Interaktiv: Çka keni dashur të arrini?
Krasniqi: Kemi dashur të arrijmë minimumin federalizmin e kësaj Republike, e maksimumi ka qenë ndarja e pjesës shqiptare dhe bashkimin e saj me Shqipërinë. Kjo ka qenë ajo në shpirt që e kemi ndje dhe ajo që e kemi diskutuar bashkë me shokët e idealit, e me shumë politikanë të cilët nuk dua t’i bëjë publikë.
Interaktiv: A keni pasur përkrahje të politikanëve për të shkuar atje?
Krasniqi: Shumë e vërtetë që kemi pasur përkrahje, nuk jemi nisur ne në krye në vete, por jemi konsultuar me shumë politikanë, të të gjitha partive politike në Kosovë. Por edhe nga Shqipëria. Dikush ka biseduar me politikanë nga Shqipëria, dikush me politikanë nga Kosova, dikush me disa politikanë nga Maqedonia, kështu që nga të gjithë ka qenë miratimi që duhet të veprohet diçka, përndryshe shqiptarët do të asimilohen dhe do të shkojnë vetëm kah më e keqja, dhe do të shtypen. Për atë edhe e kemi marrë një hap të tillë.
Interaktiv: E si keni menduar se do ta ndani Maqedoninë, nëse shkoni 20-30 vetë dhe e sulmoni një Stacion Policor në Kumanovë?
Krasniqi: Po, edhe këtu ta jap përgjigjen shumë saktë. Në fakt, ne kur kemi biseduar me shumë bashkëluftëtarë, kemi gjetur përkrahjen e të gjithëve, të gjithë kanë qenë për. Në momente të caktuara kemi biseduar me ta, dhe shqiptarët e Maqedonisë vetë na kanë thirr. Nuk ka pas ditë që nuk kemi pas vizitorë nga shokët tanë të luftës nga Maqedonia, nga politikanë besa, e nga njerëz të ndryshëm që vinin dhe kërkonin ndihmën tonë, se nëse nuk ndërmerrni diçka me na ndihmu, ne marrim fund. Situata kështu nuk bën, shqiptarët gjithmonë po humbin, qytetarët po ikin po e lëshojnë vendin, dhe kështu jemi nxit për të marrë një hap të tillë.
Interaktiv: Shqiptarët kanë ikur për shkak të kushteve ekonomike, qysh po ikin edhe prej Kosovës edhe prej Shqipërisë?
Krasniqi: Kanë ikur edhe për shkak të gjendjes ekonomike, por edhe për shkak të gjendjes politike, se një aksion, një orkestrim i Nikola Gruevskit, ka bërë që të paktën mijëra njerëz të ikin prej këtu, nga frika se mos po e bëjnë edhe ndonjë proces të montuar dikujt tjetër.
Interaktiv: Kush ka qenë udhëheqës i grupit?
Krasniqi: Udhëheqës i grupit ka qenë Mirsad Ndrecaj, ka qenë komandant i Përgjithshëm i caktuar, shef i Shtabit ka qenë Beg Rizaj.
Interaktiv: Si e keni quajtur ju këtë grup?
Krasniqi: Ky ka qenë bërthama e parë e riorganizimit të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, që pas riorganizimit duhej që të ndahej në brigada, pastaj në zona e kështu me radhë.
Interaktiv: E çka ndodhi, si ratë në duart e Policisë së Maqedonisë?
Krasniqi: Të tjerët kanë qenë një javë para se të vija unë aty. Nga data 1 (maj 2015) janë futur në Maqedoni, grupi i parë. Unë kam qenë me grupin e dytë, kemi qenë 10 veta. Unë duke menduar se atje ka shkuar gjithçka në rregull dhe janë mobilizuar njerëzit. Natën kur kam mbërri me datën 9, diku ora 2 para mëngjesit ka qenë, i kam parë dhe kam dashur të bisedoj me Mirsadin. Më thanë, shkojmë pushojmë pak, se nuk kanë fjet qe 4 – 5 ditë. Mbetëm pa bisedu se si është organizu UÇK-ja, si kanë shkuar punët. Në orën 5 të mëngjesit veç na sulmuan. Kishte 3 orë kohë nga arritja ime deri sa na sulmuan. Ata kanë qenë duke na prit, që të arrijmë edhe unë me shokë të tjerë, që kur të hyjmë aty me na ekzekutu pa zhurmë. Ky ka qenë qëllimi i tyre, sepse mënyra qysh ata na kanë sulmuar, kanë ardhur pa paralajmërim, ka qenë errët pa u bërë dritë, dhe në momentin që i kemi parë të gjithë të maskuar dhe në rroba të zeza, atëherë kanë filluar krismat prej të gjitha anëve.
Interaktiv: Ata kanë gjuajtur, ju ja keni kthyer?
Krasniqi: Po normal që ia kemi kthy, edhe kemi qëndru sa kemi mujt e sa kemi pasur ato mundësitë edhe pse shumë raste kanë qenë të tmerrshme, sepse shkelnim edhe nëpër kufomat e shokëve, shtëpitë digjeshin. Ne bëmë luftë me një arsenal, me një shtet të tërë.
Interaktiv: A besoni se dikush brenda grupit ju ka tradhtu, e ka lajmëruar shtetin?
Krasniqi: Brenda grupit unë nuk besoj, ashtu qysh e kemi studiu këtë punë unë nuk besoj, por jashtë grupit kemi shumë tradhtarë. Kemi tradhtarë të atyre që na kanë sabotuar, edhe emrat e tyre i dimë të gjithëve
Interaktiv: Kush janë ata?
Krasniqi: Për momentin nuk e di sa është mirë me i bë të ditur emrat e tyre, por janë shumë, janë disa që momentin e duhura është dashur bashkë me ne të jenë këndej, e në momentet e fundit i kanë mbyllur telefonat. Ata e dinë, do ta marrin mesazhin që sonte.
Interaktiv: A janë politikanë?
Krasniqi: Ka prej tyre edhe që merren me politikë, besa edhe të strukturave të Policisë, të Inteligjencës, ka shumë prej që na kanë sabotuar.
Interaktiv: Çfarë roli ka pasur Ali Ahmeti? A e ka ditur që ju jeni atje?
Kransiqi: E ka dit Ali Ahmeti. Që jemi këtu e ka ditë Ali Ahmeti. Që do të vijmë këtu e ka ditë Ali Ahmeti. Kush është në krye të kësaj pune, gjithçka ka ditur Ali Ahemti.
Interaktiv: A ua ka dhënë “aminin” Ali Ahmeti?
Krasniqi: Unë për vete nuk jam takuar me të, njeriu që ka dashur të na takojë, që ka biseduar me Mirsadin, unë isha në tavolinë, ka thënë se a t;ua bëjë një takim me kërkesën tuaj. Mirsad Ndrecaj ka thënë se me kërkesën tonë nuk do të bëjmë takim me Ali Ahmetin
Interaktiv: Nuk keni deshtë ta takoni?
Krasniqi: Ne nuk kemi deshtë ta thërrasim Ali Ahmetin, sepse dështimi politik i tij, pas gjithë asaj luftë në vitin 2001 që e bëmë, neve nuk na bëri ndonjë përshtypje të mirë me kërku atë, me bisedu dhe me i besu atij
Interaktiv: A ka mundur ta parandalojë Ali Ahmeti atë që ka ndodhur?
Krasniqi: Ka mujt me parandalu. Edhe tjetra është se gjatë dorëzimit ne… kjo ka qenë thuaj edhe një tradhti tjetër, një mashtrim i radhës që na çiti, duke mendu që do të dorëzohemi te pjesëtarët e OSBE-së, neve na dorëzuan në duart e forcave speciale të Maqedonisë
Interaktiv: Kush ju tha të dorëzoheni?
Krasniqi: Mirsad Ndrecaj i ka udhëhequr këto bashkë me Shefqet Hallaqin, i cili ka mbajtur kontaktet me OSBE-në. Ndrecaj ka folur me Ali Ahmeti së pari, pastaj me Artan Grubin.
Interaktiv: Domethënë Ali Ahmeti ju ka thënë të dorëzoheni?
Krasniqi: Ali Ahmeti ka negociu, është munduar, sipas tij, të bëjë diçka për neve, që të na hap një korridor që të tërhiqemi e të mos vriten civilë. Qëllimi ynë ka qenë që të mos vriten civilë, se po u vranë civilë, këta do të mundohen të vrasin civilë dhe do të mundohen të na lënë neve, atëherë faktikisht do të kategorizoheshim si terroristë. Edhe në fund na ka thënë, i ka thënë Mirsadit, se nuk po mund të bëjë asgjë, nuk po pranojnë pala maqedone që të tërhiqeni ju, e vetmja mundësi është që të dorëzoheni ju.
Interaktiv: A e ka ditur Ramush Haradinaj që ju jeni në Kumanovë?
Krasniqi: Nuk besoj që e ka ditur Ramush Haradinaj që ne jemi në Kumanovë. Në bazë të gjitha bisedave që i kemi bërë, bile ta them të drejtën e kam pyetur Mirsadin: A ke folur me Ramushin? Më ka thënë: jo, edhe mos gabo me fol me të, drejtpërdrejt me të, është fjala. Kështu që nuk besoj.
Interaktiv: Po kush e ka ditur prej politikanëve në Kosovë?
Krasniqi: E kanë ditur deputetë, kryetar të partive, deputetë të të gjitha partive ka që kanë qenë të informuar dhe na kanë thënë veç a mundeni.
Interaktiv: A mundesh me na tregu ndonjë emër?
Krasniqi: Jo, më vjen keq, nuk mundem.
Interaktiv: Parti? AAK, Vetëvendosje?
Krasniqi: Nga të gjitha, nga të gjitha që kanë deputetë në parlament.
Interaktiv: Kanë konsideruar se është diçka që duhet me bë?
Krasniqi: Po, jemi prekur nga ata deputetë që kemi menduar se janë më patriotë. I kemi nda që dikush të flet me të njërës parti, dikush me të tjetrës, por me ata deputetë që ne kemi menduar që janë më burra të mirë dhe më patriotë, që ju besojmë.
Interaktiv: Ju keni parasysh që ka një ligj në Kosovë i cili e bën të dënueshme veprën kur dikush i bashkohet një konflikti të armatosur në një territor të huaj. Dhe ju keni shkuar në një shtet tjetër dhe jeni angazhuar në një konflikt të armatosur, që i bie se është i dënueshëm edhe me ligje të Kosovës?
Krasniqi: Kështu ne shqiptarët duke e konsideruar territor të huaj pjesën shqiptare në Maqedoni, në Mal të Zi, në Serbi, pjesën shqiptare në Çamëri, kemi mbetur me një Kosovë që brenda një ore i sillesh rreth e rreth. Por kjo tokë e jonë e burrë është. Kjo tokë me shekuj është larë me gjak për t a mbrojt. Unë nuk e njoh këtë shtet Maqedoni, e njoh si tokë shqiptare. Edhe kudo që bëhet, jo 15 vjet burg a sa është atje, por edhe 1000 vjet edhe eshtrat me mi lanë në burg aty, nuk ka kush ma ndal luftën për çlirim dhe bashkim kombëtar. Kjo është, ne jemi shqiptar dhe punojmë për Shqipëri Etnike dhe për bashkim kombëtar, nuk e njohim këtë pjesë si pronë të Maqedonisë. Për mua territor i huaj është Siria, Iraku. Ata janë tjetër gjë, ne jemi tjetër gjë, ne jemi që luftojmë për komb e për atdhe, e jo njerëz që luftojnë për ISIS-a ose për njerëz që kanë devijuar nga vija e njerëzimit dhe kanë kaluar në ekstremizëm. Nuk jemi të tillë. Kemi familje, kemi biznese, i kemi lënë të gjitha të mirat atje. Disa prej neve, disa jo, por disa po. Mua më vjen keq kur thonë njerëzit për para, t’i thuash dikujt se unë kam fituar 20 mijë euro në muaj, thotë si paska mundësi atëherë ky të shkojë atje për para. Nuk kam ardh për para, kam ardh vetëm pse e kam idealin e fuqishëm. Nëse dikush e shikon historinë e familjes sime, atëherë mundet me më njoftë edhe mua.
Interaktiv: A jeni të kënaqur me përkrahjen e kryeministrit Haradinaj. Ai ka ndarë 300 mijë euro për familjet tuaja?
Krasniqi: Mua më vjen shumë mirë që doli një burrë i mirë, një shqiptar i vërtetë dhe na përkrahu. Asgjë nuk më janë dukur ato para, vetëm përkrahja institucionale mua më ka motivu që edhe sot e 100 vjet me ndejt në burg për këtë çështje unë nuk mërzitem. E falënderojmë sinqerisht Ramush Haradinajn se ka treguar një burrni që rrallë kush do ta tregonte.
Interaktiv: Si e keni përjetuar vendimin? Jeni dënuar me burgim të përjetshëm.
Krasniqi: Kur na është lexuar vendimi në Gjykatën Themelore ne nuk e kemi dëgjuar vendimin sepse jemi ngritur në këmbë dhe kemi kënduar himnin kombëtar, e këngë patriotike. Nuk i kemi lënë me na lexu vendimin hiç. Unë për vete, gjatë gjithë kohës kam qenë njeriu më i kënaqur në botë, pavarësisht se jam dënuar shumë dhe padrejtësisht, unë e kam ditur se prej atij momenti do të fillojë liria jonë, aty fillon bashkimi kombëtar.
Interaktiv: A keni shpresë për rigjykim, apo gjykim ndërkombëtar?
Krasniqi: Faktikisht për gjykim ndërkombëtar pak kemi shpresa, këta kanë premtuar një hetim ndërkombëtar, vet e kanë premtuar edhe Zoran Zaevi edhe Ali Ahmeti edhe politikanë të tjerë, mirëpo ka mbetur premtim i thatë. Asgjë nuk ka në atë drejtim.
Interaktiv: Çfarë alibie do të përdornit në rast të një gjykimi ndërkombëtar? Ju keni shkuar atje të armatosur dhe keni shkëmbyer zjarr me Forcat e Armatosura të Maqedonisë? Po thoni jeni të pafajshëm, por nuk besoj që mjafton fakti se keni dashur të bashkoni trojet shqiptare ose t’i çlironi shqiptarët e Maqedonisë?
Krasniqi: Ne do të kërkonim dëshmitarët. Dëshmitarët kyçë janë Nikola Gruevski, i cili tash është në ikje. Dëshmi më të fortë nuk ka, Gruveski iku në Hungari, këta tjerët Sasho Mihajlkovi, ish-shefi i Shërbimit Sekret të Maqedonisë dëshmia më e madhe se s’kanë për çfarë të na mbajnë në burg.
Interaktiv: Faleminderit shumë për intervistën
Krasniqi: S’ka përse, faleminderit juve.