Koment për “karrotën” e BE-së ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë

Ministrja austriake për çështjet evropiane, Karoline Edtstadler theksoi se perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk duhet lënë jashtë fokusit.

“Ne e dinim se ishte e drejtë t’i jepnim statusin e kandidatit Ukrainës. Por nuk duhet të harrojmë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor”, ka theksuar ajo në Forumin e Sigurisë në Varshavë, në një panel me shefin e diplomacisë kroate, Gordan Grliq-Radman, përcjell tesheshi.

Grliq-Radman ka thënë se është e rëndësishme që Bashkimi Evropian të jetë më i pranishëm në vendet e rajonit.

Nëse nuk e bën këtë, ndikimi i Rusisë ose Kinës do të rritet, paralajmëroi ai.

Të njëjtat vlera

Grliq-Radman tha se vendet e Ballkanit Perëndimor gjeografikisht i përkasin Evropës, por shtoi se është punë e vështirë për të përmbushur kriteret e anëtarësimit.

“Nëse doni të bashkoheni me një klub, atëherë ndani të njëjtat vlera. Është në interesin tonë që të mos kemi fqinjë të paqëndrueshëm”, tha ai.

Sipas Karoline Edtstadler, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë shumë për t’u afruar me BE-në.

“Ne nuk duhet ta mbajmë karrotën para tyre në një distancë të pakapshme”, theksoi ajo, duke shtuar se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të integrohen në BE edhe për arsye sigurie.