Komisioneri për Zgjerim sot viziton Shkupin

0

Dy muaj para vendimit për negociatat, eurokomisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi do të zhvillojë takime zyrtare sot dhe nesër në Shkup dhe Tiranë.

Zyrtari i lartë evropian vjen për herë të parë në Shkup ku do të përcjell porositë e fundit për politikën shqiptare para Samitit të Këshillit Evropian, në të cilin vendet anëtarë do të vendosin nëse Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria e meritojnë apo jo dritën jeshile për hapjen e negociatave, përcjell INA. Varhelyi do të takohet me presidentin Stevo Pendarovski, kryeministrin teknik Oliver Spasovski dhe kryeparlamentarin Talat Xhaferi. Në agjendën e tij janë paraparë takimet me kreun e LSDM, Zoran Zaev dhe kreun e VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski. Nuk ka njoftime për takime me liderët e partive shqiptare. Varhelyi vjen në Shkup dhe Tiranë pas takimeve me kryeministrin francez dhe ministrin e Jashtëm holandez. Ai pritet që Shkupit dhe Tiranës tia përcjellë rezervat dhe kërkesat që kanë këto dy vende skeptike ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Vizita në Tiranë do të realizohet pas takimeve të eurokomisionerit me përfaqësuesit politikë në Maqedoninë e Veriut. Në fund të marsit, në mbledhjen e Këshillit Evropian pritet të merret vendimi nga shtetet anëtare të unionit në lidhje me negociatat për Tiranën dhe Shkupin.(INA)