Komisioni i Jashtëm i Senatit miraton emërimin e Yuri Kimit për postin e ambasadores në Shqipëri

0

Komisioni i Senatit për Marrëdhënie me Jashtë miratoi të mërkurën emërimin e diplomates Yuri Kim për postin e ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Shqipëri. Për t’u bërë zyrtar, emërimi i saj duhet të miratohet nga Senati. Komisioni votoi për 15 emërime, përfshirë për të emëruarin për postin e Ambasadorit Amerikan në Rusi, John Sullivan. Kim, ishte emëruar nga Presidenti Donald Trump në qershor të këtij viti. Në një seancë para Komisionit të Jashtëm të Senatit për konfirmimin e saj në fund të tetorit, ajo tha se do të nxiste udhëheqësit e vendit për të zgjidhur ngërçin aktual politik në mënyrë që të forcohet perspektiva e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE. Kim shtoi se do të inkurajonte gjithashtu Shqipërinë të zbatonte plotësisht reformat në drejtësi, përfshirë kontrollin e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe krijimin e strukturave të posaçme për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ajo tha se sheh si përparësi edhe ndihmën teknike për Shqipërinë në hetimin, ndjekjen dhe ndëshkimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar ndërnacional. Kim tha gjithashtu se do të inkurajonte Shqipërinë për të arritur nivelin 2 përqind në shpenzimet e mbrojtjes deri në vitin 2024. Kim tha se nëse konfirmohet, do të punonte gjithashtu për të nxitur eksportet dhe investimet amerikane në Shqipëri.Nëse konfirmohet, Yuri Kim do të ishte gruaja e parë koreano-amerikane që përfaqëson SHBA në postin e një ambasadori, do të ishte gjithashtu personi i parë nga territori amerikan i Guamit që shërben në një post të tillë. Yuri Kim është anëtare në stafin e lartë të Shërbimit të Huaj dhe ka shërbyer në Departamentin e Shtetit si Drejtore e Zyrës së Çështjeve të Evropës Jugore. Më herët, ajo ka qenë drejtoreshë e Qendrës së Departamentit të Shtetit për Studimin e Diplomacisë, Shefe e Stafit për Zëvendëssekretarin e Shtetit dhe Drejtore e Zyrës për Sigurinë Evropiane dhe Çështjeve Politiko-Ushtarake. Ajo ka qenë gjithashtu Asistente Speciale e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit dhe anëtare e delegacionit të Shteteve të Bashkuara në bisedimet gjashtëpalëshe për t’i dhënë fund programit bërthamor të Koresë së Veriut. Zonja Kim ka shërbyer si Këshilltare Politike në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Bagdad dhe në Ankara.