Komisioni për Sëmundje Infektive, sipas paralajmërimeve, sot do të mbajë mbledhje, në të cilën do të diskutohet për gjendjen epidemiologjike me KOVID-19 në vend. Të dhënat e fundit të Institutit për Shëndet Publik (ISHP) tregojnë se në shtet aktive janë 3431 raste me Kovid-19, prej të cilave 1840 në Shkup.
Nga ISHP dje informuan se po zvogëlohet numri i të infektuarve, të vdekurve dhe të hospitalizuarve nga Kovid-19. Javën e kaluar janë regjistruar 3.702 raste të reja pozitive, që është zvogëlim prej 39,5 për qind në krahasim me javën paraprake. Përqindja e rasteve pozitive ka lëvizur prej 13,1 për qind deri në 24,2 për qind, mesatarisht 18,6 për qind.
Sipas raportit javor të Institutit për Shëndet Publik, në periudhën nga data 21 deri më 27 shkurt janë testuar gjithsej 19.217 strisho në laboratoritë në të cilat zbatohet testimi molekular dhe antigjen për praninë e SARS-CoV-2, me zvogëlim prej 17,9% në krahasim me javën e kaluar.
Pjesa më e madhe e rasteve të regjistruara janë nga Shkupi (n=1.975; 53,3 për qind), ndërsa incidenca më e lartë javore është regjistruar në Kavadar – 394,1/100.000, Shkup – 311,4/100.000 dhe Gjevgjeli – 285,3/100.000.
Janë regjistruar persona të infektuar në të gjitha grupmoshat. Më e përfaqësuar është grupmosha e personave të moshës mbi 60 vjeç (n=951, 25,7 për qind). Numër më i vogël është regjistruar te grupmosha prej 0-9 vjeç (n=194; 5,2 për qind).
Në krahasim me javën paraprake, u shënua zvogëlim i numrit të të sëmurëve te të gjitha grupmoshat, ndërsa më së shumti prej 43,6 për qind në grupmoshën prej 10-19 vjeç dhe 43,5 për qind te personat e moshës prej 50-59 vjeç.
Sipas algoritmit të ri për rikuperim gjatë javës së kaluar me statusin “të mjekuar” janë regjistruar 6094 persona në kushte të hospitalizuara ose në trajtim shtëpiak. Gjatë javës së kaluar gjithsej janë regjistruar 543 riinfektime, prej të cilave një është riinfektim i dytë, me zvogëlim për 37,2 për qind në krahasim me javën paraprake. Janë regjistruar 68 raste të vdekjes në 19 qytete, për 45,6 për qind më pak në krahasim me javën paraprake.
Sipas raporteve të spitaleve, për momentin janë hospitalizuar 337 persona (23,3 për qind më pak në krahasim me javën paraprake), prej tyre 255 janë në mbështjetje të oksigjenit (14,1 për qind më pak në krahasim me javën paraprake), ndërsa nëntë në ventimim mekanik (18,2 për qind më pak në krahasim me javën e kaluar).
Deri më 28.02.2022, janë vaksinuar gjithsej 870.405 persona së paku me një dozë vaksinë kundër KOVID-19. Kompletisht me dy doza janë vaksinuar gjithsej 849. 727 persona, ndërsa me dozën e tretë janë vaksinuar 142.201 persona.
Ambasada e Italisë në vend informon se duke filluar nga dita e djeshme, deri më 31 mars, kur pritet të përfundojë gjendja e jashtëzakonshme në Itali, më nuk do të ketë kufizime për hyrje në atë vend.