Kompanitë Google dhe Microsoft shënojnë rritje të të ardhurave në tremujorin e parë të vitit 2021

Microsoft dhe Google shënuan rritje të të ardhurave në tremujorin e parë të vitit 2021.

Fitimet e Microsoftit u rritën në 15.4 miliardë dollarë në periudhën janar-mars, duke kërcyer me 43.9 për qind nga 10.7 miliardë dollarë të regjistruar gjatë së njëjtës periudhë të vitit të kaluar.

Të ardhurat totale u rritën me 19.1 për qind në 41.7 miliardë dollarë nga 35 miliardë dollarë.

“Për më shumë se një vit në pandemi, lakoret e adoptimit dixhital nuk po ngadalësohen. Ato po përshpejtohen dhe ky është vetëm fillimi”, tha shefi ekzekutiv i Microsoftit, Satya Nadella.

Microsoft Cloud gjeneroi 17.7 miliard dollarë të ardhura tregtare, me 33 për qind rritje nga viti në vit.

Alphabet, kompania amë e Googleit, gjithashtu tha se shërbimi Google Cloud kishte të ardhura prej 4 miliardë dollarësh.

Të ardhurat totale të kompanisë u rritën me 34.5 për qind në 55.3 miliardë dollarë, nga 41.1 miliardë dollarë, ndërsa të ardhurat neto u rritën me 163 për qind gjatë kësaj periudhe.