Komuna e Sarajit me rreth 39 mijë banorë dhe 21 fshatra ka në dispozicion vetëm një çerdhe. Dy objektet e çerdhes publike “ Filiz” kanë kapacitet për përkujdesje për 170 fëmijë.
Kjo ka bërë që lista e pritjes të jetë e gjatë, gjë që ka shtyrë komunën disa kohë më parë të rrisë për 30 për qind kapacitetin e pranimit në ato objekte.
Kjo përsëri nuk mjafton. Shumë prindër detyrohen që fëmijën ta dërgojnë disa kilometra larg pasi vend për fëmijën e tyre kanë gjetur vetëm në ndonjë çerdhe në komunat e tjera, ku listat e pritjes janë gjithashtu të gjata.
Kryetari i Komunës së Sarajit, Blerim Bexheti, tha se në programin parazgjedhor është planifikuar ndërtimi i tre çerdheve në Bukoviq, Shishovë dhe Sfillare të Poshtme. Bexheti tha se Qeveria ose duhet të kryejë disa punë ose të bëjë decentralizim real.
Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale thonë se Komuna e Sarajit ka aplikuar me projekt për ndërtimin e një objekti çerdheje, mirëpo dokumentacioni nuk ka qenë i plotë./Alsat.mk