Sektori i Arsimit i komunës së Tetovës ka akuzuar Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH) se e ka lënë Tetovën tërësisht pas dore. Një muaj pas fillimit të vitit të ri shkollor, në këtë rajon mungojnë rreth 45 mijë libra për nxënësit, prej tyre rreth 35 mijë në shkollat fillore dhe të tjerat në ato të mesme.
“Me dy shqiptar në të, Ministrin dhe zëvendës ministrin e arsimit, për fat të keq kujdesi për nxënësit dhe arsimin në përgjithësi ka dështuar. MASH duhet të ndjehet e turpëruar për mënyrën e saj të dështuar për të siguruar tekste shkollore për nxënësit e Tetovës. Situata e mungesës së teksteve shkollore në këtë komunë është qartazi mangësi kujdesi dhe përgjegjësie të kësaj ministrie ndaj arsimit dhe të ardhmes tonë”, tha Nazmi Dauti, komuna e Tetovës.
Ndërkohë Ministria e Arsimit dhe Shkencës arsyetohet se librat shpërndahen në faza., por pa sqaruar se kur do të përfundojë ky proces.
“Pas më shumë se një dekade, nxënësit e shkollave të mesme marrin tekste shkollore të reja në një numër të madh të lëndëve. Megjithatë, vetëm për në një periudhë 1 vjeçare, Komisioni i Teksteve Shkollore miratoi mbi 150 tekste shkollore për arsimin e mesëm, me fokus të veçantë në atë profesional, dhe këto tekste shkollore janë duke u shtypur dhe dorëzuar në faza”, thonë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Ditë më parë në gjimnazin “Kiril Pejçinoviq” në Tetovë, për shkak të mungesës së madhe të teksteve shkollore, disa klasa bojkotuan mësimin, ndërsa protesta që prej një javë po paralajmërohen edhe nga prindërit e filloristëve në Tetovë. /Alsat