Komuna e Tetovës me llogari të bllokuar, Bilall Kasami merr masat, Teuta Arifi nuk po flet

Komunës së Tetovës i është bllokuar llogaria bankare si pasojë e borxhit prej 24 milionë eurove dhe lëndëve të aktivizuara tek përmbaruesit.

Pas ardhjes së Kasamit mësohet se janë aktivizuar mbi 400 lëndë që ishin nëpër përmbarues për shkak të borxheve të mbledhura nga ish-kryetarja Teuta Arifi.

Kasami theksoi se borxhet janë për shkak të shumë projekteve të dyshimta, për të cilat do të kërkohen hetime dhe masa ligjore. Kamatat janë ato që kanë rritur borxhet, por Kasami ka nisur bisedime me disa kompani për tërheqjen e tyre dhe gjetjen e një zgjidhje. Mbi 17.3 milion euro janë borxhe ndaj sektorit privat. Borxhi i komunës si komunë, është 14 milion euro, borxhi i Ndërmarrjes publike është 9.7 milion euro, borxhi i Ndërmarrjes së parkingjeve është 187.000 euro dhe borxhi i shkollave është 77 000 euro.

Kasami theksoi se ky borxh do të qëndroj në monitor në sheshin e Tetovës, për të qenë transparent me qytetarët, ndërsa premtoi se do e shlyejë atë.

Ndërkohë, ish-kryetarja e komunës Teuta Arifi i është shmangur dje insistimeve të mediave për të marrë përgjigjen lidhur me situatën e rënduar me borxhet në komunën e Tetovës. Ajo nuk ka hapur telefonin gjatë ditës së djeshme, ndërsa pritet një prononcim i saj. (INA)