Shkruan: Arbër Zaimi
Vetë koncepti i VIP-it të prodhuar e të tregtuar energjikisht nga mediat private a e dini se çfarë funksioni ka?
Sipas meje, që t’ju bëjë të besoni që të rëndësishëm në këtë shoqëri nuk të bën puna, dija, mençuria a guximi për rrezik, por thjesht rastësia madje shpesh duke qenë edhe dembel, injorant, budalla e frikacak.
Pse lodhen dhe shpenzojnë para për këtë synim?
Sepse kësisoj rritet shpresa (e kotë) dhe nemitet përpjekja.
Sepse rastësia e tillë, rëndomësia, krijon iluzionin e një barazie brenda pabarazisë ekstreme: ja, një nga ju ia doli.
Sepse ju duan pasivë, dhe voyeur-izmi është më pasivi prej pasioneve (e mbi të ngrihet krejt koncepti i showbizz-it, i paparacëve, i reality-ve, i BBV-ve e ku di unë).
Sepse ju duan cinikë e nihilistë, dorëheqës e dorëzues, mosbesues në asnjë vlerë shoqërore, por thjesht jargëzues si qeni i Pavllovit, sa herë që ju tregojnë diçka të shijshme.
Por edhe ngaqë është me interes për ta që ju të besoni se njerëzve të rëndësishëm nuk u duhet kërkuar llogari, se ata duhen pranuar pavarësisht gomarllëqeve që bëjnë e që janë, meqë janë të papërgjegjshëm deri në skaj.
*Arbër Zaimi eshte veprimtar politik dhe publicist