Sfidat dhe mundësitë lidhur me transformimin digjital të vetëqeverisjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, do të jenë temë e konferencës së sotme “Nga letra në pikselë: Transformimi digjital i komunave” që e organizon UNDP.
Ngjarja do të jetë mundësi të diskutohen hapat e ardhshëm për mbështetje të komunave në përpjekjet e tyre për transformim digjital, por, siç është paralajmëruar, pritet t’i hapë edhe çështjet për transparencë dhe llogaridhënie para qytetarëve, për sajber sigurinë dhe kapacitetet digjitale.
Në konferencë do të mbajnë fjalim zëvendëskryeministrja për Politika të Qeverisjes së Mirë Sllavica Gërkovska, ministri i Vetëqeverisjes Lokale Risto Penov, ambasadorja e Zvicrës Veronik Ulman, zëvendësministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Aleksandar Bajdevski, si dhe përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së, Armen Grigorjan.
“Viteve të fundit Maqedonia e Veriut vuri theks të rëndësishëm në transformimin digjital në administratën e saj publike, në nivel qendror dhe lokal. Ky transformim paraqet mundësi të jashtëzakonshme për transparencë të përmirësuar, besim të qytetarëve në institucione dhe zhvillim socio-ekonomik më të mirë. Megjithatë, edhe krahas vullnetit të fuqishëm politik për digjitalizim dhe krijim të mjeteve të ndryshme për shërbime publike digjitale në nivel qendror, numri i shërbimeve lokale është i kufizuar, ndërsa të shumta janë sfidat që e pengojnë zbatimin e tyre. Njëra nga pengesat kryesore për zbatimin e transformimit digjital në nivel lokal janë kapacitetet e kufizuara teknike dhe financiare të komunave të sigurojnë zgjidhje digjitale dhe funksionale të sigurta, si për proceset e brendshme ashtu edhe për angazhimin e qytetarëve. Plotësisht, vetëdija e ulët digjitale te disa qytetarë dhe dallimet në kapacitetet e komunave sjellin një qasje të pabarabartë në shërbime në varësi të vendit të tyre të banimit, citohet në paralajmërimin për ngjarjen.